2017-08-21 13:57:00

“Të bashkuar në shpresë”: u shpallën motoja dhe logoja e shtegtimit të Papës në Perù


“Të bashkuar në shpresë” - është kjo, motoja e shpallur nga Konferenca ipeshkvnore peruviane. Spikat mbi Logon zyrtare të shtegtimit të ardhshëm apostolik, që do të bëjë Papa në Perù më 18 deri më 21 janar 2018, ku do të vizitojë Limën, Puerto Maldonaldon dhe Trujillon, pas ndelesës në Kili, më 15 deri më 18 janar. E pikërisht ftesën që të punojnë  për unitetin, të frymëzuar nga shpresa, u drejtoi Papa peruvianëve, përmes një videomesazhi, që u bë i njohur nga kardinali Juan Luis Cipriani Thorne, kryipeshkëv i Limës.

Vizita e tretë papnore

Është e treta herë që një pasardhës i Shën Pjetrit viziton Perunë. Gjon Pali II pati shkelur në këto troje së pari më 1985 e, së dyti, më 1988, me rastin e Kongresit Eukaristik Marian Bolivarian. Kanë kaluar 30 vjet që atëhere. E tani, vizita e tretë: Peruja pret Françeskun, që i kërkon Kishës peruviane  t’i fuqizojë lidhjet me Zotin e me njeriun. Prej këndej, edhe motoja: “Të bashkuar në shpresë”.

Elementet e Logos: afërsi, lutje, bashkim

Në logo, sipas komentit të ipeshkvijve, shprehet afërsia e Papës me popullin peruvian dhe shoqërimi në udhën e tij të fesë, por synohet të manifestohet edhe atmosfera e festës, e shpresës, e bashkimit. Prej këndej, të bie në sy menjëherë figura buzagaze e Françeskut, në kornizën e kufijve të kombit peruvian e, përbri, motoja, e mbajtur nga dy duar me ngjyrat e flamujve peruvianë e vatikanas, kuq e verdh, të hapura, në gjestin e lutjes, lavdërimit e të gëzimit për ardhjen e Papës.

Programi, akoma i pa detajuar zyrtarisht

Në pritje të hollësirave të shtegtimit, që nuk njihen ende zyrtarisht, siç nënvizon Konferenca ipeshkvnore peruviane, theksohet se qytetet e zgjedhura për vizitën e Papës, kanë domethënie të thellë simbolike: Lima, kryeqytet e simbol i kombit; Puerto Maldonaldo, simbol i popujve vendas, indianëve, i Amazonës dhe i kujdesit për krijimin, ndërsa Trujillo, qytet i madh, që vuajti e vuan pasojat e Niño Costero, duke nisur nga përmbytjet e tmerrshme të muajve të kaluar.








All the contents on this site are copyrighted ©.