2017-08-20 12:00:00

Që sot e deri më 26 gusht mbahet Mitingu i Riminit


Sot, në orën 10.45, me meshën e kremtuar nga ipeshkvi i Riminit, imzot Francesco Lambiasi, filloi në qytezën bregdetare italiane Mitingu me temë “Atë që trashëgove nga etërit, rifitoje, për ta zotëruar”. Zakonisht, në këtë takim të rëndësishëm në fund të gushtit, marrin pjesë edhe përfaqësues të lëvizjes “Bashkim e Çlirim” nga trevat shqiptare.

         Mitingu i Riminit e ka zanafillën në vitet ’70, themeluar nga meshtari e teologu don Luigi Giussani. Rreth tij u mblodhën një grup miqsh të krishterë, që dëshironin të sillnin në Rimini gjithçka të bukur e të mirë në kulturën e asaj kohe. Që në fillim, u mendua si një vend takimi për njerëz me fe e kultura të ndryshme. Vend miqësie, ku mund të punohet për paqen, bashkëjetesën dhe miqësinë ndërmjet popujve.

         Çdo vit, në të marrin pjesë politikanë, drejtues të ekonomisë, përfaqësues të feve e të kulturave, intelektualë, artistë, sportistë e protagonistë të skenarit botëror. Njerëzit me historitë e tyre, në qendër të takimeve, ekspozitave, shfaqjeve dhe ngjarjeve sportive. Kujtojmë se Mitingu i Riminit çon kudo edhe ekspozitën për persekutimin fetar të shqiptarëve gjatë komunizimit e për historinë e këtij populli të martirizuar. Quhet “Athleta Christi. Në rrënjët e lirisë së një populli”. Mitingu i Riminit përfundon më 26 gusht.








All the contents on this site are copyrighted ©.