2017-08-20 14:48:00

Barcelona në lutje për viktimat e terrorizmit në Rambla


Barcelona përkujtoi viktimat e sulmit terrorist me “Meshën për paqen”, kremtuar sot paradite në Sagrada Familia, kryevepra arkitektonike e Gaudì. Sipas përfoljeve të fundit, ishte objektivi i parë i celulës islamiste, që kreu sulmin gjakatar, të enjten e kaluar, në Rambla. Viktimat e sulmit janë 13, të plagosurit, rreth 130. 54 prej tyre vijojnë të jenë të shtruar në spital.

Kremtimin eukaristik e kryesoi kryeipeshkvi i Barcelonës, kardinali Juan José Omella, në praninë, ndërmjet të tjerëve, të Mbretit Felipe VI, të kryeministrit spanjoll, Mariano Rajoy dhe autoriteteve të tjera të larta shtetërore e kishtare:

“Paqja është mikesha më e mirë e jetës sonë e i lutemi Zotit të na ndihmojë të jemi artizanë të paqes” - tha kardinali Omella gjatë homelisë, pasi lexoi mesazhin e dërguar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, përmes të cilit Papa u shpreh afërsinë të plagosurve të shumtë, familjeve të tyre e mbarë shoqërisë së Katalonjës si dhe asaj spanjolle.

Kryeipeshkvi i Barcelonës foli, më pas, për telefonatën që mori mbrëmë nga Papa Françesku. Gjatë bisedës, Papa i kujtoi se do të ishte pranë e do ta shoqëronte shpirtërisht në Meshën e kremtuar sot me gjithë popullin. “I falënderojmë të gjithë për afërsinë - vijoi Prelati i lartë - por, sidomos, Papën Françesku”.

Kërkimi i terroristëve në ikje, vijon…

Ndërkaq kërkimet për kapjen e terroristëve në ikje janë përqendruar në disa lokalitete të Katalonjës, ku jetonin anëtarët e celulës e ku e përgatitën edhe sulmin e kryer në Barcelonë. Forcat e sigurimit po bëjnë kontrolle të vazhdueshme edhe në kufirin me Francën, sepse dy nga terroristët nuk janë kapur akoma, e pikërisht Youssef Aalla dhe imami i Ripoll, marokeni Abdelbaki Es Satty, 40 vjeç, që hamendësohet  të jetë jo vetëm mendja e celulës, por edhe njeriu, që i radikalizoi atentatorët e rinj. Policia e kontrolloi imtësisht banesën e hoxhës maroken, zhdukur që të martën e kaluar, pasi e njoftoi fqinjin se po shkonte me pushime në Marok, pranë familjes. Tani grupi integralist është shkatërruar pothuajse plotësisht. Pesë terroristë u vranë nga policia në Cambrils, dy vdiqën gjatë shpërthimit të strofkës së Alcanar, katër janë në pranga e dy, në ndjekje.  








All the contents on this site are copyrighted ©.