2017-08-18 15:36:00

Një milion të ikur nga Sudani i Jugut në Ugandë. Misionarët: nuk ka të ardhme


Bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë sa më parë e të ndihmojë të ikurit nga Sudani i Jugut, që detyrohen të largohen nga grupet e armatosura, të cilat u vënë zjarrin shtëpive, vrasin civilë të pafajshëm, përdhunojnë gra e vajza e sekuestrojnë djemtë, për t’i bërë ushtarë me forcë. Komisariati i Lartë i OKB-së për refugjatët jep një shifër dramatike: numri i atyre, që për të shpëtuar nga dhuna, kërkojnë strehim në Ugandë, ka arritur një milionëshin. Mesatarisht, gjatë 12 muajve të fundit, 1.800 veta, shumica gra e fëmijë, janë larguar nga Sudani i Jugut për në Ugandë, ndërsa një milion të tjerë kanë gjetur strehë në Sudan (në Veri), në Etiopi, Kenia, Kongo e në Republikën e Afrikës Qendrore. Ndihma e deritanishme nuk mjafton, nënvizon Komisariati i OKB-së, që vlerëson se, për këtë vit, do të nevojiten 674 milion dollarë.

Papa Françesku pati shprehu dëshirën të shkojë për vizitë në Sudanin e Jugut, por natyrisht gjendja nuk e lejon këtë udhëtim. Të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Sudanit, imzot Edward Hiiboro Kussala:

         Gjendja në Sudanin e Jugut vazhdon të jetë dramatike. Lufta nuk ka përfunduar, megjithëse ka pasur bisedime për paqen. Lufta vijon ndërmjet ushtarëve të qeverisë dhe rebelëve, por viktimat e saj janë të pafajshme: gra, fëmijë e të moshuar. Nuk ka zonë të Sudanit jugor që të mos vuajë, sepse lufta është përhapur në gjithë vendin. Në zonën e Malit Nuba vijojnë bombardimet e, popullsisë i mungon edhe ushqimi i përditshëm. Kisha vazhdon të jetë për paqen e pajtimin: jemi zë moral, na dëgjojnë, por nuk e vënë në jetë propozimin tonë për të dialogur mbi problemet ekzistuese.

         Cili është impenjimi i Kishës në këtë situatë? Cilat janë hapat drejt dialogut në një gjendje të tillë?

         Puna jonë si Kishë është të vazhdojmë dialogun me rebelët. Në të vërtetë, në Sudanin e Jugut nuk ka më vetëm një grup rebelësh, janë shumë. Mundohemi të flasim me secilin prej tyre për rëndësinë e paqes. Para disa muajsh, shkova vetë në mes të pyllit për të folur me të rinjtë, që kanë marrë armët në dorë. Ishin më se 15 mijë vetë e arritëm t’i bindim këta të rinj ta lënë pyllin e të kthehen në qytet, ku u ulën në tryezën e bisedimeve me qeverinë. Nga ana tjetër, u bëjmë ballë nevojave të njerëzve, sepse, që kur ka filluar lufta, qeveria nuk garanton më shërbimet. Kisha u jep njerëzve të hanë, hap shkollat, ndihmon të rinjtë, që ikin nga pyjet. Kemi vështirësi, sepse donatorët tanë janë lodhur me gjithë këto probleme, por ç’të bëjmë? Njerëzit i drejtohen Kishës: kur ka probleme sigurie, njerëzit strehohen në kisha. Prandaj, thirrja ime për të gjithë është: lutuni për ne e ne do të përpiqemi të bëjmë ç’të mundemi për nevojtarët.








All the contents on this site are copyrighted ©.