2017-08-18 11:16:00

Dhimbja e Papës Françesku për atentatin e Barcelonës


Terrorizmi islamik goditi sërish Evropën. Në Las Ramblas të Barcelonës, hapësirë turistike e famshme në qytetin spanjoll, një kamion u vërsul dje mes turmës, duke shkaktuar 13 të vdekur e rreth 100 të plagosur, me kombësi të ndryshme. Shteti Islamik Isis mori përsipër atentatin.

Dhimbja e Papës Françesku

Papa Françesku u shqetësua thellësisht, sapo mori vesh lajmin dje pasdite. Në një notë të Sallës së Shtypit të Vatikanit, drejtori i saj Greg Burke, njofton se Ati i Shenjtë lutet për viktimat dhe i shpreh afërsinë e tij gjithë popullit spanjoll, veçanërisht të plagosurve dhe familjarëve të viktimave. Spanjës, goditur edhe në vitin 2004 me atentatet e Madridit, i shprehu ngushëllime e solidaritet e gjithë  bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy shpalli tri ditë zie në vend.

Pesë vetë në Cambrils përgatisnin atentat tjetër

Sulmi në Barcelonë, edhe një herë me teknikën e një automjeti që ecën me shpejtësi drejt turmës, nuk ishte gjesti i çmendur i një njeriu të vetëm, por i një grupi të organizuar mirë e të lidhur me terrorizmin fundamentalist. Sipas mediave, ishin 12 vetë. Dy prej tyre janë arrestuar, njëri maroken e tjetri me origjinë nga Melilla, qyteti autonom spanjoll në bregdetin lindor të Marokut. Por, po kërkohet akoma shoferi i furgonit, si edhe një anëtar tjetër i grupit. Gjatë natës së djeshme, në një postobllok të policisë në qytezën turistike bregdetare të Cambrils, u vranë pesë vetë, që po përgatisnin një atentat të ngjashëm me atë në Barcelonë, dhe u plagosën shtatë të tjerë. Gjithnjë me makinë, pesë atentatorët nuk u ndalën para policisë dhe u drejtuan nga bregdeti, ku u vërsulën kundër njerëzve, që shëtisnin. Zbritën nga makina dhe filluan të qëllonin me thikë kë t’u dilte përpara. Mbanin në brez rripa kamikazesh, që më pas u pa se ishin fallco. U vranë nga policia. Brukseli deklaroi sot se atentati në Barcelonë është kundër gjithë Evropës, e cila, që nga viti 2015, është kthyer në objektiv të terrorizmit.

Faktet

Por t’u kthehemi ngjarjeve të djeshme. Një furgon i bardhë, i markës Fiat, u vërsul dje pasdite rreth orës 17.00, drejt njerëzve, që mbushnin Las Ramblas, zonë plot me turistë. Me shpejtësi 80 km në orë, përshkoi 600 metra, duke shtypur kë gjente përpara, deri sa u përplas me një kioskë. Policia ndërhyu duke e rrethuar dhe evakuar zonën, bllokoi mjetet e transportit dhe metronë e afërt. Shumë nga dyqanet i mbyllën dyert, pasi strehuan klientët, për të mos i lënë në rrugë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.