2017-08-17 12:41:00

Kardinali Re i dërguar i Papës në Brazil për 300-vjetorin e shtatores së Zojës së Aparecida


Papa Françesku ka emëruar Hirësinë e Tij Kardinalin Giovanni Battista Re, Prefekt nderi i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Ipeshkvijtë e President nderi i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, të Dërguar të Tij të Veçantë për kremtimin e Jubileut me rastin e III qindvjetorit të gjetjes së shtatores së Zojës së Bekuar të Aparecida-s, Pajtore qiellore e Brazilit, që do të mbahen pikërisht pranë Shenjtërores Kombëtare të Zojës së Bekuar në Aparecida, tepër e dashur nga brazilianët, nga data 10 deri më 12 tetor të ardhshëm.

Ungjilli, që gjatë shekujve u bë element bazë në Amerikën Latine, është po ai që duhet kumtuar në epokën e  sotme të globalizimit e të digjitalizimit. Identiteti katolik paraqitet edhe sot e kësaj dite si përgjigja më e përshtatshme, me kusht që të gjallërohet nga formimi serioz shpirtëror e nga parimet e Doktrinës shoqërore të Kishës.

Këtë koncept Papa e kanë ripohuar e saktësuar edhe Papët e fundit Benedikti XVI e Papa Françesku, në rastin e vizitave të tyre apostolike në Brazil. Në takimin e tij festiv me të rinjtë e Sao Paolos të Brazilit në maj të vitit 2007 Papa Ratzinger mes tjerash pati thënë:
“Edhe sot Kisha bën të njëjtën gjë: para së gjithash propozon Urdhërimet e Zotit, rrugë e vërtetë që edukon njerëz të lirë në shërbim të së mirës personale e shoqërore; e, mbi të gjitha, propozon urdhërimin e parë, atë të dashurisë, sepse pa dashuri as urdhërimet nuk mund t’i japin kuptim jetës e të sigurojnë lumturinë e vërtetë”.
Kjo lumturi bëhet një me të mirën e përbashkët, kur vlerat e krishtera shkrihen në indin e një kulture. E kultura e krishterë e Brazilit – theksoi me forcë Papa Benedikti XVI – mund të jetë një model i ri zhvillimi për botën, sepse mund të sjellë pajtimin ndërmjet njerëzve e gjithësisë.

E po kujtojmë edhe shtegtimin e parë ndërkombëtar apostolik të Papa Françesku, në korrikun e vitit 2013. për DBR-në në Rio de Zhanejros dhe porosinë që Ati i Shenjtë Bergoglio u la në tri fjalë: ‘Shkoni, pa frikë, për të shërbyer’. Duke i vënë në jetë këto fjalë do të provoni se kush ungjillëzon, ungjillëzohet: kush jep gëzim, merr edhe më shumë gëzim!”. Të dashur të rinj, duke u rikthyer në shtëpitë tuaja, mos kini frikë të jeni bujarë me Krishtin, ta dëshmoni Ungjillin e Tij. Ta çosh kudo Ungjillin, domethënë të çosh forcën e Zotit për ta çrrënjosur e për ta shembur të keqen e dhunën; për t’i shkatërruar e për t’i rrëzuar muret e egoizmit, të intolerancës e të urrejtjes; për të ndërtuar një botë  të re”.

Me këto fjalë ,pra, Papa Françesku u drejtohej tre milionë të rinjve, mbledhur gjatë plazhit të Copacabana-s. Ishte 28 korriku i vitit 2013 e Rio de Zhanejro  kremtonte Ditën Botërore të Rinisë, me moton ungjillore “Shkoni e bëjini dishepujt e mi gjithë popujt!”. Ishte takim feje e shprese, tipik për të gjitha DBR-të (duke nisur nga viti i largët 1985, kur Gjon Pali II pati intuitën t’i themelonte) drejt të cilit ngarendin të rinjtë e mbarë botës. E tani, kremtimet me rastin e III qindvjetorit të Shenjtërores kombëtare të Zojës së Aparecidës, për Brazilin do të jenë një nxitje e re feje, shprese e vëllazërimi, një bekim hyjnor për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.