2017-08-15 10:00:00

Nunci apostolik në Damask: në festën e Zojës së Madhe, më tepër shpresë për Sirinë


Në Siri, pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, bashkësia e krishterë u mblodh për të kremtuar festën e Zojës së Madhe. Për të shtatin vit radhazi, kjo festë mariane përjetohet në kuadrin e luftës, që po shkatërron vendin. Vijojnë luftimet në Raqqa, Homs dhe në Deir al Zur, në qendër të Sirisë, e cila kontrollohet akoma nga i ashtuquajturi Shtet Islamik. Sipas Observatorit sirian për të drejtat e njeriut, që nga 17 korriku, në atë zonë janë vrarë 264 anëtarë të ushtrisë siriane dhe së paku, 321 xhihadistë. E megjithatë, festa e Zojës së Madhe është rast tjetër për të zgjuar shpresën ndër të krishterët, siç thekson, në mikrofonin tonë, nunci apostolik në Damask, kardinali Mario Zenari:

Ky solemnitet i Zojës së Madhe, këtu, në Kishat e Lindjes – si katolike, ashtu edhe ortodokse – quhet me termin “fjetja” e Zojës: është e njëjta dogmë. Duhet nënvizuar se të gjitha Kishat Lindore, përfshirë atë latine, e kremtojnë këtë festë në të njëjtën datë. Njerëzit mblidhen në kishë, i këndojnë himne Zojës e përgatiten për solemnitetin me agjërim.

 Nëna e Krishtit nderohet edhe nga myslimanët. Liria fetare a vijon të jetë tipar i Sirisë, e cila karakterizohet nga një mozaik kulturash?

Përsa i përket Sirisë, ka pasur gjithnjë liri të mjaftueshme fetare, respekt ndaj njëri-tjetrit. Zoja përmendet në Kuran e myslimanët e nderojnë shumë Nënën e Krishtit, të cilin e konsiderojnë Profet të madh. Marrin pjesë edhe ata në këtë atmosferë feste për të krishterët. Këtë vit, i shtati i luftës, vërejmë një pakësim të dhunës në përgjithësi, kudo nga pak, megjithëse në disa zona ka akoma vuajtje. Sidomos në guvernatoratin e Raqqa-s, shumë njerëz janë detyruar të ikin. Nga prilli i këtij viti flitet për 200 mijë vetë. Por, në vende të tjera, si për shembull në tri famullitë e Idlibit, me 700 besimtarë katolikë, pavarësisht nga kufizimet, është e mundur pjesëmarrja në liturgji e në lutje, çdo ditë.

Kisha Katolike siriane është në vijën e parë edhe në frontin e ndihmave humanitare e të dialogut, apo jo?

Falenderojmë bashkësitë katolike në të gjithë botën, që dërgojnë vazhdimisht ndihma. Këtu, Kishat përpiqen të organizojnë sa më mirë asistencën për të gjithë, të krishterë e jo. E kam fjalën sidomos për Halebin Lindor, që është shkatërruar krejtësisht. Që nga janari, janë hapur disa qendra të Karitasit Sirian për shpërndarjen e ndihmave. Është zonë krejtësisht myslimane. Disa mrekullohen e pyesin: “Si ka mundësi që ju të krishterët vini këtu e na ndihmoni?” Këto janë shenjat e pranisë sonë në Siri: krahëhapur për të gjithë.








All the contents on this site are copyrighted ©.