2017-08-14 16:14:00

Toka Shenjte: Thirrje e Patriarkëve të Lindjes për Papën, përballë eksodit të të krishterëve


“Është koha për një thirrje profetike që të dëshmohet e vërteta. Jemi ftuar të qëndrojmë në identitetin tonë lindor e t’i mbetemi besnikë misionit tonë. Duke u kujdesur për grigjën tonë të vogël, ne Patriarkët lindorë hidhërohemi ndërsa shohim hemorragjinë njerëzore të të krishterëve, që braktisin tokat e tyre atërore në Lindjen e Mesme”. Është kjo, një nga pjesët më prekëse të komunikatës së Këshillit të Patriarkëve Katolikë të Lindjes, në përfundim të mbledhjes së tyre vjetore, në Dimane të Libanit. Në një seksion ekumenik të saj morën pjesë edhe patriarkët ortodoksë dhe ungjillorë të zonës.

 “Mbetemi me rrënjë në tokën e të parëve – shkruhet në tekst – e shpresojmë kundër çdo shprese në një të ardhme, në të cilën, duke qenë pjesë të një trashëgimie autoktone e të veçantë, do të perceptohemi si burim pasurie për shoqëritë tona dhe për Kishën universale në Lindje e në Perëndim”. Patriarkët i nxisin besimtarët të mos rreshtin së kumtuari të vërtetën e dashurisë së krishterë, ligjshmërinë e ndarjes ndërmjet shtetit dhe feve në kushtetutën e vendeve të tyre, barazinë e të gjithëve para të drejtave dhe detyrave, pavarësisht nga përkatësia fetare apo etnike.

 Në notën e publikuar nga gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”, Këshilli kritikon bashkësinë ndërkombëtare se po qëndron duarkryq para shuarjes, për shkak të emigracionit, të Kishave Lindore në Irak, Siri, Palestinë, Liban, Egjipt. Për Patriarkët ky është “plan për genocid” e “mospërfillje ndaj njerëzimit”. Ata kërkojnë ndalimin e luftrave, vendosjen e paqes së qëndrueshme dhe kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre.

Patriarkët katolikë i drejtohen edhe Papës Françesku: “Nuk jemi vend me sipërfaqe të madhe e nuk i joshim gjigantët e financës. Ne jemi tashmë, një grigjë e vogël paqësore, e cila nuk ka tjetër shpresë, përveçse jush, për t’i tërhequr të mëdhenjtë, që vendosin fatet e botës”.

Mesazhi përkon me publikimin e shifrave të qarta, që tregojnë pakësimin e të krishterëve në Irak, Siri e në Tokën Shenjte. Përfaqësuesit e bashkësisë së krishterë hasin vështirësi edhe në bindjen e popullsisë së Pllajës së Ninives për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, pas çlirimit të atyre zonave nga Isis.








All the contents on this site are copyrighted ©.