2017-08-11 12:44:00

Papa Françesku një kongregate katolike belge: stop eutanazisë


Papa Françesku kërkoi nga një kongregatë katolike, që asiston të sëmurët mendorë, ta ndalojë ofertën e praktikimit të eutanazisë në spitalet psikiatrike, që drejton.

Majin e kaluar “Vëllezërit e Bamirësisë”, ky, emri i Institutit fetar mashkullor të së drejtës papnore, themeluar nga një meshtar belg, miratuar më 1899, patën njoftuar se do t’i lejonin mjekët ta praktikonin eutanazinë në 15 spitalet e tyre psikiatrike, në Belgjikë.

Së bashku me Vendet e Ulëta, Belgjika është i vetmi vend ku mjekët janë të autorizuar ligjërisht t’i ndihmojnë të vdesin njerëzit me probleme  shëndeti mendor, pas kërkesës së tyre. Një nga kriteret për të praktikuar eutanazinë, është vuajtja e padurueshme e njeriut të prekur nga sëmundja mendore, ose mendimi i shprehur nga tre mjekë, ndërmjet të cilëve, një psikiatër.

Eprori i Kongregatës katolike për Belgjikën, Raf De Rycke, në një komunikatë, saktësonte se eutanazia do të mund të ushtrohej vetëm në pamundësi të çdo mjekimi tjetër të arsyeshëm e se çdo kërkesë do të shqyrtohej me kujdesin më të madh. “E respektojmë lirinë e mjekëve për ta praktikuar eutanazinë ose jo - shkruhej akoma në komunikatë - duke pasur parasysh se kjo liri garantohet me ligj”.

Shtëpia e  përgjithshme e “Vëllezërve të Bamirësisë”, me seli në Romë,  majin e kaluar pati bërë një deklaratë tjetër. Në të, eprori i përgjithshëm i Kongregatës, Rene Stockman, theksonte se lejimi i eutanazisë u kundërvihet parimeve themelore të Kishës katolike. “Kjo është hera e parë që një organizatë e krishterë e shikon eutanazinë si praktikë  mjekësore të zakonshme, në vartësi nga liria terapeutike e mjekut - pati shkruar, e kjo - vijonte - është e pandershme, shkandulluese, e papranueshme”. Stockman denoncoi edhe se Urdhëri ishte nën presion të fortë lidhur me eutanazinë, por duke deklaruar edhe që kjo nuk do të thoshte se do të dorëzohej e duke nënvizuar: “Shekullarizimi po e rrënon Kongregatën në Belgjikë” .

Muajt e kaluar Eprori i përgjithshëm u kërkoi ipeshkvijve belgë të mbajnë qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje dhe njoftoi Selinë e Shenjtë, që nisi menjëherë hetimin e hollësishëm të çështjes. E tani Vëllezërit e Bamirësisë marrin urdhër drejtpërdrejt nga Papa, përmes Dikasterit vatikanas për jetën rregulltare që, duke nisur nga gushti në vijim, të mos e praktikojnë më eutanazinë në spitalet psikiatrike drejtuar prej tyre. Në rast kundërshtimi, mund të merren masa të rrepta kanonike, deri në shkishërim.

Shumica e njerëzve, që kërkojnë eutanazinë në Belgjikë, janë të sëmurë nga kanceri ose nga sëmundje degjenerative, ndërsa të sëmurët me trazira mendore psikitarike, që e kërkojnë, përbëjnë 3% të rreth 4.000 të vdekurve  përmes eutanazisë çdo vit. Në Belgjikë kjo praktikë po bëhet gjithnjë më e kërkuar gjatë dhjetë vjetëve të fundit.  








All the contents on this site are copyrighted ©.