2017-08-10 10:00:00

Rubrika: Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…Papa Albani”. Një këmbanë alarmi


Në emisionin e kaluar të Rubrikës “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…” e lamë Romën nën tingujt e këmbanës së alarmit e Papën Klementi të kapur nga një shqetësim i fortë i brendshëm, nësa trupat perandorake franceze i suleshin Italisë. Ishte ky një tregues i qartë i brishtësisë së tij politike, të cilit i shtohej edhe dështimi i plotë i propozimit drejtuar fuqive italiane për organizimin e një federate neutraliste.    

Atëhere, në mënyrë të pashmangshme, sjellja e Klementit dalëngadalë filloi të ndryshonte, posaçërisht lidhur me qëndrimin e tij ndaj Francës, nga e cila nisi të anojë gjithnjë më shumë. E kjo, kryesisht për shkak të disa ngjarjeve, që e tronditën keqas Papën e ia lëkundën fuqimisht asnjanësinë, si qëndrimi i favorshëm i francezëve ndaj luftës në Itali, shkelja e territoreve të Shtetit të Kishës e, posaçërisht, çështja e Mbretërisë së Napolit, që ishte feude papnore. I ftuar nga Madridi për të mbajtur qëndrim ndaj sundimit të Filipit V e nga Vjena, ndaj Karlit d’ Habsburg, deshi të fitojë kohë, duke emëruar një këshill kardinajsh, të ngarkuar për të vendosur konkretisht ligjshmërinë e trashëgimisë. Shpërthimi i rebelimit të Makias (shtator 1701), e prej këndej, sqarimi i qëndrimit miratues të partisë austriake, ende në fasha, në shoqërinë napoletane, i shqetësoi jo pak mjediset e Kuries; revolta, e dënuar ashpër në direktivat, zbatuar korrektësisht nga nunci Casoni dhe e shtypur menjëherë nga zëvendës-mbreti spanjoll, në gjirin e Kuries tingëlloi si këmbanë serioze alarmi. Shumë vërejtën se mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, që do të fashiteshin përkohësisht në pranverën dhe verën e 1707-tës, grindjeve pafund lidhur me mungesën e respektit dhe të privilegjeve kishtare nga ana e autoritetit dhe dhunës laikale, po i shtohej edhe vullneti politik imperial, që nuk ngurronte, në kuadrin e strategjisë së tij antifranceze, të nxiste  rebelimin në territoret kufitare me ato papnore.

E gjithë kjo, që i ngjante një rrethimi të vërtetë, e shqetësoi shumë Papën. Edhe pse nuk e njohu zyrtarisht Filipin V si mbret të Napolit, Klementi nisi ta thellonte ndjeshëm afërsinë me Francën, duke nënshkruar dy traktate sekrete me Luigjin XIV, përmes të cilave u jepej leje kalimi trupave franceze në territoret e Shtetit të Kishës në rast shkeljeje të asnjanësisë (tetor 1701 e qershor 1702): më pas dënohej me vdekje një dashamir i Perandorit, markezi Cesare del Vasto e njihej me nxitim pretendenti për fronin anglez, Jaku II Stuart. Në këtë periudhë Klementi ndoqi përgjithësisht këshillat e kardinajve francezë, të kryesuar nga Janson dhe thelloi bindjen se Vjena po lidhej gjithnjë më shumë me fuqitë protestante. Si përfundim, pas një ndërhyrjeje të ndrojtur ndërmjetësimi të papërshtatshëm në problemet e krijuara nga lufta, politika e jashtme e Klementit, ndonëse formalisht mbeti asnjanëse, objektivisht iu nënshtrua Francës.

Në janar të vitit 1702 Papa dërgoi në Piaçencë trupa, nën komandën e Alessandro Aldobrandinit. I jepte, kështu, përgjigje, pushtimit  të Parmës nga ana e perandorit. Në shkurt fortifikoi Ferrarën e vetëm ftohja e konfliktit në teatrin e luftës italiane, bëri  të shtyhej përkohësisht ndeshja ballë për ballë me perandorin. Ndërkaq vdekja e Leopoldit (5 maj 1705) dhe zgjedhja e Jozefit I në fronin e perandorit të Perandorisë së Shenjtë Romake, i ndërlikoi më tej marrëdhëniet ndërmjet këtij të fundit e Selisë së Shenjtë. Perandori i ri nuk e pranoi aktin e nënshtrimit ndaj Papës e, i vendosur për ta konsideruar Klementin si sovran të një shteti të vogël dhe të pafuqishëm, pohoi menjëherë se kishte të njëjtin opinion me përfaqësuesin e tij në Romë, kontin Lamberg, i cili ishte i bindur se për t’i qeverisur mirë priftërinjtë, duhej “kuleta e dajaku”(Shih L. von Pastor, XV, f,29).

Situata u rëndua më tej duke nisur nga viti 1706, në përkim me disfatat e francezëve: këta, pas betejës së Ramillies (24 maj) humbën Brabantin dhe një pjesë të mirë të Fiandrave. Në qershor, duka i madh, Karli Habsburg u shpall Mbret i Spanjës dhe, me fitoren e Torinos (7 shtator) nga ana e princit Eugjeni i Savojës, pothuajse e gjithë Italia ra në dorë të perandorit. Krejtësisht të kota, protestat e Papës për t’i ndaluar shpërdorimet kundër popullsisë civile të legatave të Ferrarës e të Bolonjës, kryer nga armatat perandorake; e kotë, edhe rezistenca e ligshtë për ndalimin e trupave të gjeneralit austriak Daun, të drejtuara kah trojet napoletane; madje, si shenjë provokimi, ushtria imperiale kaloi vetëm pak kilometra larg Romës, duke krijuar atmosferën e një revolte pro-austriake në qytet.

Kërkesat e ngutshme të taksave pothuajse në të gjitha trojet e pushtuara italiane, të konsideruara si feude të Perandorisë, e posaçërisht shkelja e imunitetit fiskal të klerit Parmens, rënduar më tej nga një kuotë  që do të kontribuonte për luftën, bënë që Klementi t’i dënonte pushtimet me një brevë, të shpallur gjatë fjalimit, mbajtur në Koncistorin e 1 gushtit 1707, pa asnjë rezultat pozitiv. Madje, pozita e tij u bë edhe më kritike,  për shkak të raprezaljeve të shkaktuara nga mosnjohja e Karlit Habsburg si mbret i ligjshëm i Spanjës: që nga pranvera e vitit 1708, në Napoli e Milano, u konfiskuan rentat kishtare vakante, u bllokua eksportimi i parave drejt Romës e, së fundi, më 24 maj 1708, u pushtua ushtarakisht Comachio, i mirënjohur për kripën dhe peshkimin. Papa protestoi energjikisht.

Në shtator të të njëjtit vit, pa e llogaritur fare opinionin e njëzëshëm të Kuries, vendosi ta përballojë me armë Jozefin I, i mbështetur, në këtë vendim utopik, nga Luigji XIV, që hamendësonte  krijimin e një lidhjeje me princërit italianë. Por, sapo mareshali Tessè e pa se kjo besëlidhje në Itali, posaçërisht për shkak të qëndrimit të lëkundshëm të venedikasve, ishte e papraktikueshme, Franca hoqi dorë. Atëhere Klementi mbeti vetëm, me një ushtri të kushtueshme e të mbledhur ngutshëm prej 25 mijë burrash, nën komandën e L.F. Marsigli, që nuk mundi, sigurisht, ta pengonte ushtrinë armike të pushtonte Bolonjën e Romanjën e të vendosej në Faenza (nëntor 1708). Papa ndodhej para një konflkti të rëndë, që duhej zgjidhur. Pikërisht për masat që mori për ta zgjidhur do të flasim në emisionin e ardhshëm…








All the contents on this site are copyrighted ©.