2017-08-10 16:49:00

Republika e Afrikës Qendrore: ndeshje në Gambo, përfshihen forcat e OKB-së


Flasin për dhunë të tmerrshme lajmet që vijnë nga Republika e Afrikës Qendrore. Dhunë, që godet edhe bashkësitë e krishtera, siç kujtoi dje Papa, në përfundim të audiencës së përgjithshme.

         Veçanërisht të ashpra, ndeshjet e javës së kaluar në Gambo, një fshat në juglindje të vendit, ku gjetën vdekjen dhjetra vetë, ndër të cilët edhe civilë e fëmijë. Në sfond, ndeshjet ndërmjet fraksioneve anti-Balaka dhe Seleka. Sipas dëshmisë së ipeshkvit kombonian, imzot Juan José Aguirre Munoz, ndërmjet 3 e 4 gushtit, fraksioni Seleka - në Gambo që prej 4 vjetësh, gjatë të cilave lanë rrëmbyer edhe gra gjatë natës për t’i përdhunuar para burrave - u përzunë nga anti-Balakat.

         Më pas, pati ndeshje ndërmjet milicëve anti-Balaka dhe ushtarëve të misionit të OKB-së në Republikën e Afrikës Qendrore, të cilët reaguan ndaj zjarrit të hapur nga vendasit.  Por përgjigjja, dëshmon ipeshkvi, qe e jashtëzakonshme: “qëllonin kundër gjithçkaje që lëvizte”. Ndër viktimat, edhe civilë të fshatit, që ipeshkvi i Bangassou-s i njihte personalisht, pasi shërbenin në kishë.

         Pasi helmetkaltërit i detyruan milicët anti-Balaka të ikin, u kthyen në Gambo ata të fraksionit Seleka. Rezultati: tjetër masakër në spitalin e fshatit, ku ndodhej një grup prej 6 vullnetarësh të Kryqit të Kuq. Prenë në fyt vullnetarët e të sëmurët, përfshirë fëmijët, tregon ipeshkvi, tejet i shqetësuar për fatin e popullsisë së Gambos.








All the contents on this site are copyrighted ©.