2017-08-07 17:03:00

Kishës së Kosovës, Zoti i dhuroi një meshtar të ri, don Kolë Dedajn


Kishës Katolike në Kosovë iu shtua një meshtar i ri. Ai është don Kolë Dedaj, i cili dje, më 6 gusht kremtoi meshën e tij të parë, një ditë pas shugurimit meshtarak në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë. Don Kolë Dedaj vjen nga fshati Korenicë, famullia e Gjakovës. U lind më 10 maj 1992 në Gjakovë. I biri i Tomës dhe i Liza l. Gjugja, e mori Krezmimin në vitin 2006 po ashtu në Gjakovë; shugurimin diakonal më 31 korrik 2016, ndërsa shugurimin meshtarak, më 5 gusht 2017. Meshën e parë e kremtoi dje në orën 11:00, në kishën famullitare të shën Pjetrit e shën Palit, Apostuj, në Gjakovë. Më hollësisht për shugurimin meshtarak të don Kolë Dedajt, nip i kryeredaktorit tonë, don David Gjugja, na flet bashkëpunëtorja jonë, Rabije-Mrikë Ibraj

 

Gëzimit të madh të shugurimit të katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë që bëhet më 5 shtator, i parapriu një tjetër gëzim, shugurimi i meshtarit të ri, don Kolë Dedaj, nga Korenica e Gjakovës.

Kjo meshë gëzimi u kremtua të shtunën më 5 gusht, në prani të shumë besimtarëve, seminaristëve e motrave të nderit. Kryesoi meshën Shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji në bashkëmeshim me një numër tejet të madh meshtarësh, në mesin e tyre edhe Imzot Lush Gjergji dhe kryeredaktori i Radio Vatikanit për gjuhën shqipe, dom David Gjugja.

Imzot Dodë Gjergji, fillimisht përshëndeti të gjithë të pranishmit, e në veçanti, seminaristët e shkollës, familjen dhe të afërmit e meshtarit të ri. “Javën e kaluar shuguruam diakonin e ri, dom Marjanin, ndërsa sot jemi mbledhur për ta shuguruar meshtar dom Kolën, me të cilin po e bashkëndajmë këtë gëzim të madh. Urojmë që brenda tij të veprojë shpirti i Zotit, ndërsa duke e jetësuar Ungjillin të jetë në shërbim të Kishës dhe popullit”, tha ipeshkvi.

Më pas, vazhdoi kremtimi i riteve të bukura të shugurimit, të përcjella me muzikën kishtare të mrekullueshme. I gjithë ky akt solemn u përcoll në heshtje të plotë, me devotshmëri nga të pranishmit, e sidomos të emocionuar dukeshin familjarët dhe të afërmit e meshtarit të ri.

Pas kësaj ceremonie mbresëlënëse, ndërsa dom Kola po vishej me petkun e bardhë të meshtarit, shpërthyen duartrokitjet, ndërsa dom Kola i mbërthyer nga emocionet po përqafonte i gëzuar të gjithë meshtarët radhazi dhe prindërit, të cilët kur po e rritnin nuk e dinin se brenda shpirtit të tij të njomë, po gufonte thirrja e Zotit për ta bërë atë misionar të Kishës dhe popullit.

Për fjalën predikuese ishte nderuar, dom David Gjugja, bir i Kosovës, i cili, që prej 30 vjetësh kryen misionin e tij të shenjtë ne Redaksinë Shqipe të Radio Vatikanit. Ai, me fjalë tepër të zgjedhura, të shenjta e përkushtuese, e inkurajoi meshtarin e ri, për punën që e pret.
Duke shpalosur figurën e meshtarit dhe rolin e tij në shërbim të Zotit, kishës e popullit, tha se ky nuk është profesion apo funksion, por është mision i shenjtë. “I dashur Kolë, kur të kremtosh Meshën Eukaristike, mundohu të jesh i denjë, me pastërtinë e zemrës, të mendjes, të korpit, të dashurisë, sepse këtë shërbesë shenjte e ke marrë prej Jezu Krishtit, i cili u ka thënë Apostujve: “bëni këtë në përkujtimin tim” dhe atyre ua besoi pushtetin e Tij hyjnor për “t’i lidhur e zgjidhur” mëkatet e njerëzve, në emrin e Zotit”, porositi dom Davidi.
Në vazhdim, ai përmendi shumë figura fetare e kombëtare që nëpër shekuj, brez pas brezi dhanë kontributin e tyre për binomin Fe e Atdhe. Edhe Shenjtja jonë, bija, motra e nana e popullit tonë shqiptar, Ganxhe Bojaxhiu – Shën Nënë Tereza, tha ai, ishte e lidhur ngushtë me Krishtin Eukaristik, sepse në misionin e saj, ajo gjithmonë e ka pasur meshtarin afër, sepse në meshtarin Nënë Tereza ka parë gjithmonë një Krisht tjetër.
Pra, dom Kolë kjo është dhuratë tejet e shenjtë, tejet e madhe, që Zoti të ka dhënë ty përmes meshtarisë, për të mirën e shenjtërimin e çdo njeriu. Prandaj, mos kij frikë, sepse Zoti është gjithmonë me ty, se tashmë je bërë shërbëtor i Tij, i Kishës së vendit tënd dhe popullit, tha veç tjerash dom David Gjugja.

Ndërsa, meshtari i ri, dom Kolë Dedaj, falenderoi prindërit, eprorët që mundësuan  formimin e tij meshtarak, të pranishmit dhe të gjithë ata që e përkrahën, duke kërkuar që edhe më tej ta përcjellin me lutje e uratë.

Në fund ipeshkvi, imzot Dodë Gjergji, pasi e falenderoi Zotin për këtë dhuratë për Kishën e Kosovës, dha bekimin, në përfundim të kësaj meshe të vecantë.








All the contents on this site are copyrighted ©.