2017-08-05 16:44:00

Ipeshkvijtë e Venezuelës, mirënjohës për thirrjen e Papës. Tani jemi para rrezikut të diktaturës.


Konferenca ipeshkvnore venezuelane (Cev) shpreh gjithë mirënjohjen e saj për afërsinë dhe shqetësimin e vërtetë që, edhe një herë, Papa dhe Selia e Shenjtë treguan dje, përmes një thirrjeje të re për respektimin e të drejtave të njeriut si dhe për pezullimin e Asamblesë së re Kushtetuese, që po çon në thellimin e mëtejshëm të krizës në vendin jugamerikan, duke ushqyer gjithnjë më shumë urrejtjen. Në emër të ipeshkvijve flet zëvendës - kryetari i Cev, imzot Mario Moronta, i cili ripohon se pjesëmarrja në votimet e së dielës së kaluar ishte e pamjaftueshme e nuk e fsheh aspak frikën për rrezikun e vendosjes së një “demokracie diktatoriale”. Ipeshkvijtë tani shpresojnë që thirrja e Selisë së Shenjtë të mirëpritet nga të gjithë, si nga qeveria, ashtu edhe nga opozitorët. Dëshira e njerëzve - shpjegon imzot Moronta - që dëshirojnë ta kenë pranë Kishën, u plotësua edhe një herë nga fjalët e Papës. Por një rol të rëndësishëm në këtë pikë duhet të ketë edhe bashkësia ndërkombëtare, me një qëndrim të vendosur e të qartë:

Përgjigje: - E morëm me mirënjohje të thellë komunikatën e Selisë së Shenjtë, mënyrë për të ripohuar atë, që është thënë në Venezuelë jo vetëm nga ne, ipeshkvijtë, por nga gjithë njerëzit vullnetmirë. Kjo komunikatë shpreh shqetësimin e vërtetë të Atit të Shenjtë dhe të Selisë së Shenjtë për Venezuelën. Shpresojmë që kjo thirrje të pranohet edhe nga qeveria. Ndërsa, natyrisht, u pranua plotësisht prej njerëzve, që presin nga Kisha jo vetëm fjalë, por edhe angazhim për të qenë pranë njerëzve të vuajtur.

Pyetje: - Ju u kërkuat forcave të armatosura t’u japin fund përpjekjeve për të përhapur frikë e të mbrojnë demokracinë. Shihni rrezikun e diktaturës ushtarake?

Përgjigje: - Jemi para rrezikut, të cilin ne e quajmë “demokraci diktatoriale”, domethënë imponimit të një regjimi politik, që duket si demokraci, po demokraci nuk është. Përkundrazi! Nuk është, sepse nuk i llogarit të drejtat e njeriut e nuk pyet fare për lirinë. Ky, rreziku, prandaj ipeshkvijtë e Venezuelës u kërkuan forcave të armatosura ta respektojnë detyrën e tyre: të mbrojnë Kushtetutën, të mbrojnë popullin, të mbrojnë demokracinë! I bëmë thirrje ndërgjegjes së tyre: ata nuk janë aty për t’iu bindur ndonjë partie politike, as ndonjë qeveritari, por vetë Zotit!

Pyetje: - A ekziston mundësia konkrete që qeveria ta pranojë dëshirën e popullit për të organizuar zgjedhjet rajonale kombëtare këtë vit?

Përgjigje: - Shpresojmë se qeveria do të ndërrojë rrugë. Qeveria ka njoftuar mundësinë për shpalljen e zgjedhjeve rajonale, por ka kërkuar edhe që forcat politike, të cilat duan të marrin pjesë, të shkruhen deri të mërkurën. Nuk e dimë nëse është kurth, apo strategji. Por gjithsesi, është një portë që hapet, e duhet ta mbështesim konkretisht këtë nismë. Çka duhet të bëjë qeveria, është ta pezullojë Asamblenë Kushtetuese: nuk e do shumica e popullit  venezuelan, e nuk është, siç thonë ata, mjet paqeje.

Pyetje: - Dëshironi t’i bëni ndonjë thirrje bashkësisë ndërkombëtare  përmes mikrofoneve tona?

Përgjigje: - Po, kemi dëgjuar deklaratat e shumë vendeve, vende evropiane, amerikanolatine e vende të tjera të botës, që i kërkojnë qeverisë ta tërheqë Kushtetuesen. Kanë thënë se do të ketë edhe masa ndëshkimore kundër qeverisë, por jo kundër njerëzve! 








All the contents on this site are copyrighted ©.