2017-08-04 17:58:00

Selia e Shenjtë: qeveria venezuelane të pezullojë Asamblenë Kushtetuese


“Selia e Shenjtë  shpreh sërish shqetësimin e saj të thellë për radikalizimin dhe rëndimin e krizës në Republikën Bolivariane të Venezuelës, ku janë shtuar viktimat, të plagosurit dhe të burgosurit. Ati i Shenjtë, drejtpërdrejt e përmes Sekretarisë së Shtetit, e ndjek nga afër gjendjen dhe pasojat e saj humanitare, shoqërore, politike, ekonomike e, edhe shpirtërore. Ai siguron se lutet vazhdimisht për vendin e për gjithë venezuelanët, ndërsa fton besimtarët e gjithë botës të luten shumë për këtë ndjet”. Kështu shkruhet në një komunikatë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit.

         Njëkohësisht, thuhet në të, “Selia e Shenjtë u kërkon të gjithë protagonistëve politikë e, në veçanti, qeverisë, të sigurohet respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore, si edhe Kushtetuta në fuqi; të shmangen, ose të pezullohen nismat në vijim si mbledhja e Asamblesë Kushtetuese, të cilat, në vend që të favorizojnë pajtimin dhe paqen, nxisin atmosferën e tensionit e të konfliktit dhe hipotekojnë të ardhmen; të krijohen kushtet për zgjidhje me bisedime, në vijë me këshillat e shprehura në letrën e Sekretarisë së Shtetit, më 1 dhjetor 2016, duke pasur parasysh vuajtjet e mëdha të popullit dhe vështirësitë për të gjetur ushqim e ilaçe, përveçse për të pasur siguri”.

         “Së fundi, Selia e Shenjtë i bën thirrje të zjarrtë krejt shoqërisë që të shmanget çdo lloj dhune, duke i ftuar veçanërisht, Forcat e sigurisë të mos e teprojnë në përdorimin e forcës”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.