2017-08-04 11:35:00

Rubrika: Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë… Albanët, familje fisnikësh ardhur nga Shqipëria


Në emisionin e katërt të rubrikës: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”,  hyjmë në gjirin e një familjeje të shquar, me origjinë të mirënjohur shqiptare, për t’ju njohur me një Papë i cili pohoi gjithnjë se ishte me gjak  shqiptar, gjë që e dëshmoi edhe duke u përpjekur me të gjitha forcat për ta ndihmuar dheun e të parëve. E kemi fjalën për Klementin XI, që Shqipërinë e pati të vulosur edhe në llagap: Albani! – Shqiptari! Sepse në kohën kur papnoi kishte Shqipëri e shqiptarë, që përgatiteshin për rilindjen e kombit…Emisioni IV titullohet “Albanët”:

Gjenealogjia e familjes shumë të lashtë Albani, nga Shqipëria e Veriut, për fat të keq njihet vetëm duke nisur nga Kapedani Mëhill Laca e të bijtë, Filipi e Gergji. Dihet se, pasi luftuan kundër turqve përkrah Gergj Kastriotit Skënderbeut në Shqipëri, deri më 1464, kur ra kështjella e fudme, ajo e Rozafës, e mbrojtur me gjakun e mijëra trimave, u detyruan të largoheshin nga vendi, si shumë të krishterë të tjerë, për të ruajtur fe e zakone, që në atme dalëngadalë “do të bdareshin e do të bastardhoheshin” nën thundrën e huaj. Zgjodhën si vend mërgimi Italinë, ku u pritën nga zoti i Montefeltro, Duka i Urbinit. Ikën pa mburojë tjetër, veç shpatave. S’ kishin, pra, ç’të ruanin si kujtim i atmes në flakë, prej nga vinin në tokën italiane. Vendosën, atëherë, të ruanin ç’kishin më të shtrenjtë: emrin e Atdheut. Për zotërinjtë mikpritës, ata ishin albanë, prej këndej, e ndërruan llagapin Laca, që në Shqipëri vijon të ruhet edhe sot e kësaj dite, me Albani. Kështu nisi historia e familjes së madhe Albani, në djepat e së cilës u përkundën jo një, por shumë shqiptarë të famshëm, deri tek Papa Klementi XI, që mund ta quajmë Papë “me gjak të holluar” shqiptar, sepse nip e stërnip dyersh të mirënjohura fisnike italiane, sipas lisit të tamblit.

Shumë shpejt Albanët nisën të ngjiten njëri pas tjetrit në shkallët e karrierës, në fillim diplomatike e pastaj edhe politike, duke nisur nga Orazio Albani (1576 – 1653), që e la Urbinin për Romën, ku u bë senator. I biri, Annibale, iu kushtua karrierës kishtare e u bë Prefekt i Bibliotekës së Vatikanit. I vëllai, Karli (1623 - 1684), u martua me markezën e Pesaros, Elena Mosca, me të cilën pati dy djem: Horacin (1652 - 1712) dhe Giovanni Francesco-n, apo Gianfrancesco-n (1649 - 1721), papa i ardhshëm Klementi XI.

Horac Albani (1652 -1712) u martua me Maria Bernarda Ondedei, e cila i lindi një Karl tjetër, princ i Sorianos në Cimino e, pas tij edhe Annibale Albanin ( 1682 -1751) kardinal i ardhshëm.

Familja Albani pati edhe tre kardinaj të tjerë, të tre, nipa të Papës Klementi XI: Aleksandrin, Gjon Françeskun dhe Jozefin, të cilët qenë pro austriakë e kundërshtarë të Risorgimentos, kur Italia luftonte për bashkim kombëtar. Albanët e Romës nuk duhen ngatërruar me Albanët e Bergamos. E ndoshta edhe me familje të tjera që, duke ikur nga Shqipëria e pushtuar, mbillnin farën e gjenialitetit shqiptar nëpër botë, ku ndërtuan edhe banesat e tyre, njëlloj të famshme si zotërinjtë, që i banonin. Kështu edhe Villa Albani, në Romë. U ndërtua në rrugën romake Salaria për kardinalin Aleksandër Albani, nip i Papës Klementi XI, nga arkitekti Carlo Marchionni, rreth vitit 1758, duke u bërë menjëherë qendër e mirënjohur kulture e botës perëndimore.

Në këtë vilë, gjithnjë me emrin Albani, kardinali mblodhi koleksionin e tij me objekte të lashta, të cilat pastaj nuk i grumbulloi mbi sergjene, si në muzetë e kohës, por i përdori si orendi, për të zbukuruar mjediset e vilës, krijuar si vend kënaqësie,  vizituar nga një rreth i ngushtë njerëzish, që dinin ta shijonin këtë mrekulli, duke e soditur me sy të mësuar.

Më 1761 Anton Rapael Mengs realizoi, për sallonin e vilës, afreskun e famshëm të Parnasit, ndoshta manifesti më i rëndësishëm pikturesk i lindjes së neoklasicizmit. Programi ikonografik u hartua nga Winkelmanni i famshëm, bibliotekar i kardinalit. Ai u kujdes edhe për katalogimin e koleksioneve të lashtësisë të mbrojtësit të tij. Për shkak të shpenzimeve të mëdha (rreth 400.000 skude) që iu desh të bënte sa për vilën, aq për koleksionin e famshëm të veprave antike, duke krijuar një nga gliptotekat më të pasura private të kohës, kardinali shkriu gjithë pasurinë aq, sa u detyrua, pastaj, t’i shiste disa nga objektet e çmuara të koleksionit, po pjesa tjetër mbeti, ashtu si biblioteka, me 40 mijë vëllime, ku Winkelmann-i i madh mundi ta shuajë etjen e tij të pashuar për lexim. Shqiptarët mund të krenohen me shtatoret helenike të Vilës së kardinalit Albani, që është përsëri aty ku ishte, e zhytur në heshtje, me kopshtet e harlisura, me shatrivanet e shtatoret, që flasin për lavdinë e perënduar. Ndërsa “albanë” të rinj vijojnë ta përhapin farën e gjenialitetit të tyre nëpër botë, në pritje të ditës kur t’u krijohen kushtet për ta mbjellur, më në fund edhe në trojet e tyre pjellore!








All the contents on this site are copyrighted ©.