2017-08-03 16:11:00

Papa: të dëgjohet thirrja për ndihmë e të krishterëve të Lindjes së Mesme


“Askush prej nesh nuk duhet t’i mbyllë sytë para vuajtjeve” të vëllezërve e motrave tona të krishtera në Lindjen e Mesme, të cilët, “për shkak të luftrave vëllavrasëse e fanatizmave fetare, detyrohen t’i braktisin shtëpitë, ose të largohen nga tokat e tyre”. Kështu, Papa Françesku, në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, me rastin e takimit të 135-të të Kalorësve të Kolombos. Në St.Louis të SHBA-ve, ku mbledhja e nisur më 1 gusht përfundoi sot, ata reflektuan mbi temën “Të sigurtë për Dashurinë dhe Fuqinë e Zotit”.

         Papa u shpreh mirënjohje Kalorësve për mbështetjen, që u japin të persekutuarve të Lindjes së Mesme, duke ftuar të gjithë të luten “për nevojtarët; për kthimin e zemrave kah Zoti; për fundin e spirales së dhunës, të urrejtjes e të padrejtësive në atë zonë të botës”. Ati i Shenjtë e identifikon karizmën e Kalorësve - “një bashkim vëllazëror e bamirës laikësh, punëtorësh, burrash e baballarësh” - me përvojën e tyre të dashurisë dhe të fuqisë së Hyjit, si edhe me traditën historike të Urdhërit.

         Duke përmendur fjalët e shën Palit apostull drejtuar Romakëve, kur u thotë se nëse kanë Zotin me vete, askush s’mund t’i cënojë (Rom 8,31), Papa Françesku i fton Kalorësit e Kolombos të luftojnë kundër globalizimit të indiferencës, që mënjanon të varfërit e të brishtët, por edhe të përpiqen për shenjtërimin e botës, përmes punës së përditshme, e cila duhet bërë me frymë ungjillore e duke dëshmuar Krishtin.

         Me admirim për përpjekjet e tyre në mbrojtje të familjes, të shenjtërisë së martesës, të bukurisë dhe të dinjitetit të jetës familjare, Papa Françesku thekson edhe një herë lidhjen e ngushtë ndërmjet shenjtërisë brenda familjes dhe asaj të krejt shoqërisë. “Pikërisht në familje – shkruan Papa në mesazh, duke i bërë jehonë Nxitjes Apostolike ‘Amoris Laetitia’ – mësojmë ta konceptojmë botën si shtëpinë tonë, në të cilën duhet të jetojmë së bashku, t’i qëndrojmë afër njëri-tjetrit, të respektojmë e të kujdesemi për njëri-tjetrin, e t’i konsiderojmë dhuratat e Zotit si pasuri për ta ofruar, në të mirë të të gjithëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.