2017-08-02 12:55:00

Papa lojtarëve të Borussia Mönchengladbach: të jeni atletë të paqes


Para audiencës së përgjithshme Papa u takua, në Sallëzën, pranë Sallës së Palit VI, me lojtarët e skuadrës gjermane Borussia Mönchengladbach, të cilëve u shprehu mirënjohjen për lidhjen miqësore, krijuar ndërmjet shoqërisë së futbollit, posaçërisht skuadrës së lavdive të vjetra e shoqatës sportive të Punonjësve të Vatikanit, skuadra që, vitet e fundit takohen shpesh në Mönchengladbach e në Romë.

Fohlen-Elf, skuadra e djelmoshave, siç quhet Borussia Mönchengladbach, “dallohet për faktin - nënvizoi Papa – se është gjithnjë  skuadër “me masën e njeriut”, skuadër, që favorizon familjet. E Papa e përfundoi takimin, duke i përshëndetur mysafirët me fjalët:

“Është e bukur të shikosh sesi familjet popullojnë Parkun tuaj Borussia e si zhvillohen programe të ndryshme e nisma sportive dhe edukative për promovimin e të rinjve, posaçërisht atyre, që kanë më pak fat në jetë. Ju ftoj të vijoni impenjimin “si atletë të së mirës e të paqes”, për të cilat bota e sotme ka aq shumë nevojë. Ia besoj Zotit jetën tuaj, të familjeve tuaja  e të gjithë të dashurve. Ai ju shoqëroftë gjithnjë me bekimin e Tij”.








All the contents on this site are copyrighted ©.