2017-08-01 14:05:00

Tweet i Papës në festën e Shën Alfons Maria de’ Liguori: e mira bëhet pa shpërblim


“E mira bëhet dhe jep fryte sidomos kur për të nuk kërkohet shpërblim, në situatat konkrete të jetës së përditshme”: ky është tweet-i i Papës Françesku në festën e sotme të Shën Alfons Maria de’ Liguori, ipeshkëv e dijetar i Kishës, themelues i Kongregatës së të Shëlbuemit, pajtor i studiuesve të teologjisë morale e i rrëfyestarëve, si edhe bashkëpajtor i Napolit.

Një nga shenjtorët më popullorë në shekullin XVIII pati vështirësi për të ndjekur thirrjen në meshtari, pasi familja nuk ishte dakord. Fillimisht avokat në Napoli, pas një përvoje në spitalin për të varfërit, u shugurua meshtar në moshën 30 vjeçare. Në vitin 1734 themeloi Kongregatën e Redemptoristëve për ungjillëzimin e ambienteve fshatare dhe të periferive të qyteteve. Kishte besim të madh në lutjen, sepse sipas tij “kush lutet, shpëton e, kush nuk lutet, e çon veten në ferr”. Vërtet, në moshën 63 vjeçare, në vitin 1759, shkruante Traktatin “Për mjetin e madh të lutjes”, të cilin e  konsideronte librin e tij më të dobishëm.

Në vitin 1762 u emërua ipeshkëv i dioqezës së Shën Agatës de’ Goti. Në moshë të shtyrë, shkoi në shtëpinë e redemptoristëve në Nocera dei Pagani, ku vdiq në moshën 90-vjeçare. U shpall i lum në vitin 1816 e shenjt, më 1839. U njoh si dijetar i Kishës më 1871. Në biografinë e tij, edhe një predispozitë e veçantë për muzikën, kultivuar në familje. Emri i Shën Alfons Maria de’ Liguorit mbetet i paharruar si autor i vargjeve dhe i muzikës së njërës prej këngëve më popullore të Krishtlindjes: “Ti ulesh prej Parrizit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.