2017-08-01 10:59:00

Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…Papa Eleuteri


Kohët e fundit në shtypin shqiptar vijojnë të duken një mori shkrimesh kushtuar personaliteteve që Kombi Shqiptar i dhuroi botës në të endur të moteve: burra shteti, mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, muzikantë… e, doemos, edhe papë. Një herë u fol për një papë të vetëm: Klementin XI. Më pas për katër e, pakëz më vonë, për dhjetë papë shqiptarë. Me që numri i tyre vijon të rritet, menduam të hyjmë edhe ne në këtë valle, duke shfletuar historinë. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes, që e zgjodhëm edhe si titull të rubrikës sonë: “Sa Papë shqiptarë? Shfletojmë historinë…”. Emisioni i parë i saj i kushtohet Papës Eleuteri.

Papa Eleuteri

Kujtuam, më sipër, prirjen e çuditshme patriotike të shqiptarëve për gërmim të ethshëm në historinë e përbotshme, për të gjetur aty bashkatdhetarë të famshëm.  Shqiptarë, që themeluan perandori të mëdha e të pathyeshme, që hapën udhë të reja, ngritën monumente të pamort, si Taxh Mahali, për shembull, kompozuan kryevepra muzikore… Ndoshta pse kështu na rritet besimi në forcat tona, në pritje të veprave edhe më të mëdha të ardhmërisë…në sa vijojmë të rrënojmë gjithçka të bukur trashëguam nga e kaluara…

E sidomos tashti, kur kemi një Shenjtore me gjak shqiptar, që pushtoi zemrën e botës, Nënë Terezën, 38 martirë të Lum e edhe Kardinalin II shqiptar, mendohet se doemos duhet të ketë pasur edhe Papë shqiptarë. Jo një, por shumë! Ndërmjet tyre, Papa Eleuteri, Papa Kaio, Papa Gjoni IV dhe Papa Klementi XI.

I pari, Eleuteri (Eleuther, Eleutherius (lindur në Nikopoli të Epirit, në një vit të papërcaktuar - vdekur në Romë, në vitin 189) ishte i 13-ti Ipeshkëv i Romës e papë i Kishës katolike, e cila e nderon si shenjtor. Egesippi(110-180), historian i krishterë i shekullit II, që shkroi kundër herezive e nderohet edhe ai si shenjt nga Kisha katolike, ishte i pari biograf i Papës epirot. Sipas tij Eleuteri, i lindur në Nikopoli (Prevezë) erdhi në Romë në kohën e Papës Aniçeti, qe diakon e mori pjesë, si sekretar, në takimin e tij me Polikarpin. Këtë e vërteton edhe Euzebi, në Historia Ecclesiastica (IV,11,7;22,3). Sipas tij, Eleuteri ishte akoma ipeshkëv kur Irineu i Lionit përfundoi listën e tij ipeshkvnore romake (Adversus haereses III, 3,3). E Eleuterin e kujton edhe Tertuliani në “De praescriptione haereticorum” (30, 2).

Gjatë papnisë së tij u përhap masivisht herezia montaniste, quajtur kështu me emrin e themeluesit, Montano. Ndoshta ish-prift i hyjneshës Cibele, ai pohonte se fliste në emër të Shpirtit Shenjt, se kishte vegime profetike për çështje të ndryshme të fesë e, sidomos, për kohën e ardhjes së dytë të Krishtit. Prej këndej, nën papninë e Eleuterit u shkruan më se 4 apologji, për të paraqitur ndryshimet ndërmjet të krishterëve e montanistëve. E megjithatë, në vitin 177, kur shpërtheu një nga persekutimet më të egra kundër të krishterëve, ai i Mark Aurelit, nuk u bë kurrfarë dallimi,  ndërmjet të krishterëve ortodoksë e atyre heretikë. Montanistët, që i kundërviheshin ligjeve të shtetit e edhe shoqërisë së kohës, kaloheshin një lloj, si të krishterët e vërtetë, nën tehun e shpatës, digjeshin të gjallë, kryqëzoheshin si Mësuesi i tyre. Histori, që përsëritet edhe sot me besimtarët në Krishtin…

Të famshëm, në këtë kohë, ishin martirët e Lionit, sidomos Shën Pontini, ipeshkëv i Lionit dhe Shën Blandina. Në rrëfimin e martirizimit të tyre e, sidomos, në letrat e tyre, sipas dëshmisë së Euzebit të Çezaresë, citohet edhe Eleuteri. Në Romë, gjithnjë në vitin 177, u martirizua edhe Shën Çeçilia. E po në këtë vit, Shën Ireneu, ipeshkvi i ardhshëm i Lionit, shoqëroi disa ipeshkvij, që shkuan në Romë për të diskutuar me Eleuterin për problemin e montanizmit. Më pas, edhe ipeshkvi Abercius i Hierapolis, në Frigji, shkoi në Romë për të njëjtin problem. Kështu emri i Eleuterit përmendet shpesh lidhur me disa nga çastet më kritike të jetës së Kishës, në kohën kur papnoi.

Kuptohet se në kohët e përgjakshme të persekutimit pak mundësi kishte Kisha, asokohe e larë në gjak, të merrej me herezitë. Vetëm kur vdiq Mark Aureli e në fronin e tij u ul i biri, Komodi, mundi t’i kushtohej plotësisht problemit të herezisë montaniste.

Nganjëherë Eleuteri qortohet për mungesë vendosmërie në dënimin e herezisë montaniste. Por historikisht mendohet se kjo ishte sjellje diplomatike, që synonte ta zgjidhte pa shumë dhimbje, përçarjen në Kishë. Sjellje që, megjithatë, nuk solli asnjë fryt. Gjatë papnisë së tij, Eleuterit iu desh t’u bënte ballë edhe herezive të tjera, që vijonin të përhapnin doktrinat e tyre, sidomos gnosticizmit e marcionizmit.

Në Liber Pontificalis shkruhet se pati letërkëmbim me mbretin britanik, Lucio, që dëshironte të kthehej në fenë e krishterë. Por kjo traditë romake, jo britanike, me sa duket nuk ka asnjë bazë historike. Këtë pandehmë e gjejmë edhe tek Shën Beda i Nderuar (673-735) murg e historian anglez, që jetoi në manastirin e Shenjtorëve Pjetër e Pal, në Wearmouth. Beda, që e kujton vazhdimisht këtë histori, me sa duket nuk e mori nga burimet angleze, por nga Liber Pontificalis.

Nuk kemi të dhëna, që vërtetojnë se Papa Eleuteri u martirizua e, sidomos, se e quante veten shqiptar. Sepse as vetë Shqipëria asokohet nuk quhej Shqipëri. Shumë-shumë mund të krenohej se ishte ilir. Por as për këtë nuk kemi asnjë të dhënë, ndërmjet të dhënave të tjera, që kujtuam për këtë Papë. Aq më tepër kur po të kemi parasysh se, edhe në ato kohë të mugëta, kur shpesh ngjarjet humbisnin në mjegull, pa lënë asnjë dëshmi pas, Kisha katolike, ndonëse e martirizuar vazhdimisht, vijonte ta shkruante, e ta ruante me kujdes të madh, përmes akteve të martirizimit e të papnive, historinë e saj dymijëvjeçare. Duke na krijuar mundësinë t’i prekim me dorë ca ngjarje 2 mijë vjet larg nesh.

Për shembull, kohën kur vdiq Papa Eleuteri dhe vendvarrosjen e tij, pranë varrit të Shën Pjetrit, varr me një histori më vete, me lëvizje relikesh, për t’i ruajtur nga dhunimi, mjegulluese për historinë tonë. Prej këndej nuk jemi të sigurt jo vetëm për shqiptarësinë e Eleuterit, por nuk e dimë me siguri as ku pushon në paqe, tani që dëshirojmë ta kujtojmë si Papa i parë shqiptar i një kohe, kur nuk kishte ende Shqipëri!








All the contents on this site are copyrighted ©.