2017-07-31 13:04:00

Caritas: Papa shpall fushatën botërore “Share the journey”


Papa Françesku do të shpallë, më 27 shtator, nga Sheshi i Shën Pjetrit, fushatën e Caritas internationalis: “Share the journey”(Të ecim së bashku), që synon të promovojë kulturën e takimit me emigrantët dhe refugjatët.

Kardinali kryeipeshkëv i Manilës dhe kryetar i Caritas Internationalis, Luis Antonio Tagle, në letrën që u dërgoi këto ditë organizmave bamirëse katolike për shpalljen e fushatës, nënvizon: “Përmes kulturës së takimit, do të gjejmë udhën për paqen”. E “Share the journey” synon pikërisht promovimin e kulturës së takimit, si në bashkësitë me origjinë emigrantësh, ashtu edhe në ato, që janë në kalim ose mendojnë të ndalohen atje, ku arritën.

Kardinali Luis Antonio Tagle i fton famullitë, organizatat dioqezane e kombëtare të bashkohen me Papën Françesku në këtë ditë, duke e shpallur fushatën globale edhe në vendet e tyre. Përmes kësaj fushate - shkruan - shpresojmë ta zhdukim frikën e të kuptojmë pse gjithë këta njerëz i braktisin shtëpitë e tyre në këtë çast historik. Dëshirojmë edhe t’i nxisim bashkësitë të krijojnë marrëdhënie me refugjatët dhe emigrantët, duke ndezur, kështu, një dritë për ta ndriçuar me të rrugën e emigrimit, që është histori shumë e lashtë. Fushata jonë synon t’i ndihmojë bashkësitë ta shikojnë këtë histori me sy të rinj  e me zemër të hapur - kujton.

Në letrën e tij, kardinali filipin i fton anëtarët e 165 organizatave kombëtare, që bëjnë pjesë në “rrjetin e madh” të Caritas Internationalis, të bashkojnë “krahët e zemrat” e të formojnë një zinxhir njerëzor dashurie e mëshire.

Nuk duhet harruar - kujton Tagle – se pranojmë vetë Krishtin, kur ua hapim zemrat emigrantëve e refugjatëve!








All the contents on this site are copyrighted ©.