2017-07-30 13:47:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: Jezusi, thesar për t’u kërkuar, i jep jetës gëzim e kuptim


“Është Jezusi, zbulimi themelor, që mund të shkaktojë një kthesë vendimtare në jetën tonë, duke e mbushur plot me kuptim”.  Është Ai, “thesari i fshehur”, Ai, “margaritari me vlerë të pallogaritshme”, për të cilin flet Ungjilli i kësaj së dieleje të fundme të korrikut. Këtë u shpjegoi Papa besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, nën diellin  përvëlues, për lutjen e Engjëllit. E Ati i Shenjtë u kujtoi sot se “kërkimi” e “flijimi”  janë dy karakteristikat, që krijojnë kushtet për të arritur në Mbretërinë e Zotit, e cila bëhet e pranishme pikërisht në Vetjen e Jezusit.

Shëmbëlltyrat, që Kapitulli XIII i Ungjillit të Mateut ia kushtoi edhe një herë sot Mbretërisë së Qiejve, kanë si protagonistë “një katundar i cili, rastësisht, gjen një thesar të fshehur në arën ku punon” dhe “një tregtar margaritarësh të çmuar” që, si njohës i mirë thesaresh, është në kërkim perlash të kushtueshme; e edhe e gjen një, me vlerë të pallogaritshme. Të dy - vërejti Papa - janë gati të bëjnë çmos për t’i shtënë në dorë këto thesare, të gjetura krejt rastësisht.

Duhet të kërkojmë, pra, së pari, në se duam të gjejmë. Mbretëria e Zotit u ofrohet të gjithëve, është dhuratë, është hir, por nuk të vihet para në pjatë argjendi, kërkon dinamizëm: duhet ta kërkosh, të ecësh, të luash nga vendi. Duhet, pra, që zemra të përvëlohet nga dëshira për ta pasur këtë thesar të çmuar, domethënë, Jezusin! Por kjo nuk mjafton: duhet edhe flijimi.

Na e tregon vetë shëmbëlltyra: para një rasti kaq të papërsëritshëm - shpjegoi Papa, duke vijuar ta marrë shtytjen nga faqja ungjillore – si fshatari, ashtu edhe tregtari “shesin gjithçka kanë”.  Prej këndej, vlera e jashtëzakonshme e thesarit kërkon edhe flijim, shkëputje nga shumë sende, vetmohim. E kjo na kujton - reflektoi Papa - se kur e kemi gjetur Zotin, nuk duhet lënë shterpë kjo gjetje, por duhet të flijohemi për Të.

Njëkohësisht Françesku nënvizoi edhe se “ta vësh Jezusin në vendin e parë, ta vësh Hirin në vendin e parë, nuk do të thotë ‘të heqësh dorë nga gjithçka’  e as ‘t’i përbuzësh të gjitha sendet e tjera’. Do të thotë të gjesh gëzimin e vërtetë, që vetëm Zoti mund ta japë. Është gëzimi ungjillor i të sëmurëve të shëruar, i mëkatarëve të falur, gëzimi i hajdutit, që shikon t’i hapet para porta e Parrizit”. Është gëzimi i secilit prej nesh, kur zbulon afërsinë dhe praninë ngushëlluese të Jezusit në jetë, prani që ta shndërron shpirtin e ta hap zemrën për mikpritjen e vëllezërve, posaçërisht më të ligshtëve,  nevojtarëve edhe për një buzagaz të çiltër.

Në përfundim të lutjes të kësaj së dieleje, Papa i ftoi besimtarët ta dëshmojnë me fjalë e me gjeste të përditshme gëzimin e gjetjes së thesarit të Mbretërisë së Hyjit, domethënë,“të dashurisë që na dhuroi Ati, përmes Jezusit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.