2017-07-30 15:46:00

Papa: kriminale të mësohesh me tregtinë e njerëzve, plagë e turpshme


Në  Ditën e sotme ndërkombëtare, themeluar nga OKB-ja për t’iu kundërvënë trafikut të qenieve njerëzore, kremtuar me një sërë nismash në mbarë botën, u ngrit përsëri me forcë zëri i Papës, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot. Françesku bëri thirrje që të gjithë t’i kundërvihen, me impenjim të përbashkët, kësaj plage të padurueshme, formë e skllavërisë moderne. Është  e keqe, mizore e kriminale - pohoi Françesku - të të duket e zakonshme, të mësohesh me të, si të ishte “gjë normale” që mijëra e mijëra viktima të pafajshme çdo vit t’i nënshtrohen shfrytëzimit në punë të rënda, shpërdorimit seksual, trafikut të organeve…! Papa ia besoi të gjithë mbrojtjes së Virgjërës Mari, së cilës iu lut “t’i shndërrojë zemrat  e trafikantëve”.

Të dhënat statistikore i vënë frikshëm në dukje përmasat e këtij fenomeni  të turpshëm. Më se 21-35 milionë njerëz, ndërmjet të cilëve shumica gra e fëmijë, shiten e blihen si skllevër në tregjet e botës moderne, në mjediset e së cilës përsëriten çdo ditë me mijëra herë fjalët e bukura - e boshe - liri e demokraci. Ndërsa në prapaskenat e botës, mijëra njerëz, që vijojnë të bien në duart e trafikantëve, detyrohen t’i nënshtrohen prostitucionit e punës prej skllavi, si në kohët e skllavërisë së lashtë, por edhe të kësaj moderne, me format e reja të amësisë surrogate e martesave të kombinuara… Ky krim mizor e i papranueshëm, që duhej të ishte zhdukur qëkur, riduket vazhdimisht në historinë e njerëzimit, duke i sfiduar ndërgjegjet tona.

Të sensibilizohen dhe të edukohen ndërgjegjet kundër indiferencës, që të bën të mbyllësh sytë para gjithë këtij shëmtimi, a të kthesh kokën mënjanë, duke bërë sikur nuk i ke parë kurrë tregjet e turpit. Me sensibilizim dhe edukim merret çdo ditë motra Eugenia Bonetti, Misionare e Zojës Ngushëlluese, Drejtuese e Zyrës kundër trafikut të grave e fëmijëve të USMI (Bashkimi i Eproreve të Mëdha të Italisë). Prej vitesh motër Eugenia koordinon një rrjet murgeshash, që u përkasin 70 kongregatave të ndryshme, për kryerjen e një misioni kaq delikat e të çmuar në 100 strehë, ku  viktimat  e prostitucionit ndihmohen konkretisht të rigjejnë dinjitetin e lirinë si dhe të përfshihen përsëri në botën e punës. Motra guximtare koordinon edhe bashkëpunimin me shoqatën “No more slave” që vepron në një mori vendesh të botës, me të njëjtat synime. Kudo ka viktima të trafikut. Çka e shqetëson motër Eugenien, është biznesi kriminal, që arrin shifrën 40 miliardë dollarë, i cili jo vetëm që nuk pakësohet në rrjedhë vitesh, por përkundrazi, shtohet. Sepse trafiku vijon të shtrihet edhe në vendet evropiane, përveç atyre afrikane e, para së gjithash, në Nigeri, me numrin më të madh “të skllaveve të mitura”, viktima të zgjedhura nga trafikantët, sepse të njoma, analfabete e shtatzëna.

“Skllavëria në vitin 2017 nuk mund të durohet më, ashtu si nuk mund të durohet asnjë lloj shfrytëzimi, mbi kurrizin e të varfërve  - pohon me forcë motra Eugenia Bonetti – e cila kërkon të thellohen përpjekjet për ta zhdukur këtë plagë, duke bashkuar forcat e të gjithëve në një rrjet të përbashkët. Murgesha i shpreh mirënjohjen Papës Françesku për thirrjet dhe ndërhyrjet e vazhdueshme, në përpjekjen për ta çrrënjosur plagën e shëmtuar. Duhet vepruar në vendet nga vijnë skllevërit - shprehet motra guximtare – por edhe në ato, ku arrijnë. Natyrisht, kjo është kryesisht puna  e qeverive. Pa harruar se gjithë këta njerëz të skllavëruar ikin nga varfëria, për të rënë në mjerim. Të gjithë hanë mbi lëkurën e të varfërve, përveç tyre; të gjithë fitojnë, përveç tyre. Duhet copëtuar zinxhiri i korrupsionit - bën thirrje motra, që ndeshet për ditë me trafikun – sepse në vitin 2017 nuk mund të tolerohet më!








All the contents on this site are copyrighted ©.