2017-07-30 17:15:00

Kolumbi. Imzot Henao: meshtarët e vrarë, dëshmitarë të Ungjillit


Me vrasjen e meshtarit të fundit në Kolumbi, të enjten e kaluar, pikërisht në ditën e 31-vjetorit të ditëlindjes së tij e pak para se të nisej për të kremtuar meshën e mëngjesit, Kishës vendase i hapet një plagë e re. Shpreh, prandaj, dhimbjen e thellë, përmes një Komunikate, nënshkruar nga Konferenca Ipeshkvnore. Ipeshkvijtë kolumbianë kërkojnë edhe një herë, kthimin e vrasësve në rrugën e Zotit dhe refuzojnë çdo formë dhune.

Edhe tani, që procesi i paqes ndërmjet qeverisë dhe Forcave të armatosura revolucionare të Kolumbisë (Farc) duket sikur po i afrohet përfundimit,  sfidat nuk kanë marrë fund. Vetëm sa kanë ndryshuar për rregulltarët, që jetojnë në fshatra të humbura. Duhet të mbrohen më shumë. Këtë pohon imzot Héctor Fabio Henao, Sekretar i përgjithshëm i Baritorisë shoqërore- Caritasit të Kishës kolumbiane si dhe koordinator i programit për mbrojtjen e meshtarëve. “Janë me dhjetra, meshtarët e vrarë vitet e fundit. Shumë u vranë nga njerëzit e trafikut të drogës, të tjerë, nga paraushtarakët ose grupet e guerriljes. Të gjithë, pa asnjë përjashtim - nënvizon imzot Henao - në krye të misionit të tyre, pa kurrfarë dyshimi. Pavarësisht nga frika, që në kushtet tona është normale, asnjë nga meshtarët nuk mendoi kurrë ta lërë popullsinë vetëm, duke e ditur mirë rrezikun, që e kërcënonte.

Vizita e Papës në Kolumbi, shtatorin e ardhshëm, do të jetë një rast tejet i rëndësishëm për Kishën. “Posaçërisht më 8 shtator, me rastin e kremtimit për Pajtimin, në Villavicencio – pohon imzot Henau – presim fjalë të forta nga Françesku”. E marrim me mend se do të na ftojë, në emër të Zotit, ta vijojmë udhën e drejtësisë e të paqes, e kjo do të na krijojë mundësi të reja. Papa e di mirë, qysh kur ishte kardinal në Buenos Ajres, si jetojmë, i njeh vuajtjet e edhe punën e Kishës sonë që, në rrjedhë vitesh, dha gjithnjë dëshmi të ndritura për Krishtin, ndonëse në rrethana të tmerrshme dhune. Imzot Henao flet edhe për ndjenjat e njerëzve e të bashkësive të tëra, të shtrënguara rreth meshtarëve të vet e të angazhuara ta çojnë përpara punën e tyre, kur vriten mizorisht. 








All the contents on this site are copyrighted ©.