2017-07-27 16:24:00

Atë Jakob Marlekaj OFM, një jetë në shërbim të Fesë e të Kombit


Sot më 27 korrik, kujtojmë, Atë Jakob Marlekajn, në përvjetorin e vdekjes, historianin i shquar e françeskanin shqiptar, ruajtës, kultivues e përhapës i gjuhës, historisë e kulturës shqiptare.

Luigji, ky ishte emri që i vunë prindërit në pagëzim, lindi në fshatin Plan të Dukagjinit më 29 nëntor të vitit 1906 në familjen dukagjinase Marlekaj. Kur ishte ende i vogël, në Plan erdhi një famullitar i ri: Atë Justin Rrota, që hapi pranë kishës një qendër misionare. Aty mësuan shkrim e këndim shqip shumë malësorë të vegjël të Planit e të Gjurajve. Në mes tyre edhe Luigji i vogël, që u bë shpejt një nga nxënësit më të dashur të fratit- mësues, i cili, me miratimin e prindërve, e çoi të vijonte mësimet në shkollën françeskane në Shkodër, hapur që në vitin 1861 nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës.
Në vitin shkollor 1924-1925 u regjistrua në liceun françeskan Illyricum. Tashmë e kishte zgjedhur rrugën e vet, që do ta çonte larg nëpër universitete e kuvende të ndryshme françeskane të Italisë, duke nisur nga Firence, ku nisi studimet për të përfunduar në Bari, ku drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe e ku jetoi deri sa mbylli sytë, më 27 korrik të vitit 2003 në kuvendin e etërve françeskan në Bari të Italisë.
I la trashëgim kulturës shqiptare një pasuri të vërtetë shkrimesh, studimesh gjuhësore, hulumtimesh, dokumentesh, që ruhen në Bibliotekën e re françeskane në Shkodër. Prej tyre po kujtojmë vetëm veprën së cilës i kushtoi gjithë jetën mbi figurën madhore të ipeshkvin e teologut të madh shqiptar,: “Pjetër Bogdani dhe Shqipëria e kohës së tij”, botuar në Bari më 1989.








All the contents on this site are copyrighted ©.