2017-07-24 15:09:00

Pas fjalëve të Papës, liderët e Tokës Shenjte ta dëgjojnë thirrjen për dialog


Pritet, këto orë, një mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në përpjekjen për t’i frenuar ato që Papa, dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, i quajti “tensione të rënda në vijim, në Jeruzalem, duke bërë thirrje për maturi e dialog e duke u lutur që Zoti t’i frymëzojë të dyja palët për pajtim e paqe. Pas fjalëve të Papës, “kemi shpresë se edhe liderët politikë do të dëgjojnë e do të mund të përpiqen për të bërë diçka - pohon, nga Jeruzalemi, atë David Neuhaus, mëkëmbës patriarkal  për katolikët e gjuhës hebraike: “Nuk mjafton të dihet se Papa ka folur, rëndësi ka të pranohen fjalët e tij e të veprohet konkretisht. “Po përfshihemi përsëri në ciklin e dhunës shumë të fortë”. Kjo nuk mund të fshihet - pohon jezuiti - që vijon të përdorë fjalë si trishtim, ndeshje, ankth… Tensionet e kanë kaluar kufirin e Shtetit hebraik e kanë arritur deri në Jordani – pohon.

Dhuna, shpërthyer si pasojë e vendimit izraelit për të instaluar metal-detektorët në hyrjet e Sheshit të Xhamive, u pasua nga të shtënat mbi Ambasadën  izraelite në Amman, ku një roje e sigurisë u sulmua nga një njeri  e reagoi duke e vrarë agresorin si dhe një person të dytë. Pas ngjarjes, autoritetet jordaneze vendosën ta pengojnë evakuimin e selisë diplomatike, që të mund të vijojnë hetimet. Pothuajse njëkohësisht, ambasada jordaneze në Izrael deklaroi gjendjen e emergjencës. E këtë, që ndodhi në Jordani, shtypi ndërkombëtar e shikon si sinjal të tensionit në rritje në Lindjen e Mesme, pas vendimit izraelit për të instaluar metal detektorët në hyrje të Sheshit të Xhamive, në Jeruzalem: “Kur prekin një gjë kaq të shtrenjtë për botën myslimane,  si xhamia e al Aqsa, kanë prekur të gjithë arabët, të gjithë myslimanët – pohon akoma atë Neuhaus. Besoj se mbarë bota është e pushtuar nga ankthi, nga zemërimi: e edhe ne duhet ta ndjejmë thellë këtë situatë....”:

“E gjithë bota arabe e shikon me ankth këtë, që po ndodh në Jeruzalem, sepse Jeruzalemi është i shtrenjtë për të gjithë” – kujton përsëri jezuiti, duke vërejtur edhe se Jordania është shumë afër, prandaj krerët e Kishës  në Jeruzalem i bënë thirrje  mbretit Abdallah II, duke i kërkuar ta përdorë gjithë ndikimin e tij për të siguruar sadopak maturi në këtë ngjarje e për ta qetësuar situatën. Këto orë është në vijim një takim i Këshillit të mbrojtjes së qeverisë izraelite, thirrur nga kryeministri Benjamin Netanyahu, për një këshillim të ri - i dyti në pak orë - mbi krizën, në vijim. Në mëngjes një palestinez i Cisjordanisë theri një arab izraelit në zonën qendrore të Izraelit. Këtë fundjave forcat e sigurisë së shtetit hebraik, arrestuan një mori përfaqësuesish të lartë të Hamasit në Cisjordani. Ndërmjet tyre, një ish-ministër, një parlamentar dhe pesë milicë të liruar pak vjet më parë gjatë një shkëmbimi  të të burgosurve. I menjëhershëm, reagimi i lëvizjes në fuqi, në Gazë, sipas së cilës Izraeli po e humbet kontrollin mbi situatën.

“Besoj se Kisha, në këto situata, ka një rol shumë të rëndësishëm” - kujton atë David Neuhaus: Papa, ipeshkvijtë tanë, priftërinjtë, gjithë besimtarët”. Qëllimi është të jemi vërtet popull, që kërkon  drejtësi e  paqe,  me dashuri e me dëshirën për pajtim. Ndoshta - shton - fjala më e rëndësishme tani në Tokën Shenjte është “falje”: sepse “në Tokën Shenjte sot të gjithë janë të plagosur”, mbasi është në vijim e sipër një sulm i të gjithëve kundër të gjithëve. E ne, si Kishë, jemi të thirrur të flasim për drejtësi e paqe, me guxim, forcë e me respekt për të gjithë.

Si Kishë në Tokën Shenjte - përfundon mëkëmbësi patriakal për katolikët e gjuhës hebraike - jemi “nga ana izraelite hebraike” e “nga ana palestineze arabe”, jemi në dialog me hebrenjtë e me myslimanët, për të dëshmuar se paqja, drejtësia e pajtimi nuk janë vetëm koncepte abstrakte, por realitet i mishëruar” .








All the contents on this site are copyrighted ©.