2017-07-21 12:53:00

Patriarku Sako: shqetëson shkarkimi i kryebashkiakut të krishterë të Alqoshit


Pas mundjes së të ashtuquajturit Shtet Islamik e pas përzënies së xhihadistëve nga Mosuli, në Irak, gjendja mbetet e nderë, me episode dhune e ekzekutime pa gjyq. Pushimi nga puna i kryetarit të bashkisë së Alqoshit, në Pllajën e Ninives, i krishterë i zëvendësuar nga një politikan i Partisë Demokratike të Kurdistanit, shkaktoi polemika të shumta. I telefonuam për një koment patriarkut të Babilonisë së Kaldejve, Louis Raphaël I Sako:

Është një precedent shumë i rrezikshëm, sepse kryetari i bashkisë, guvernatori i Alqoshit apo i fshatrave të Pllajës së Ninives, janë zgjedhur nga populli. E nuk është partia, që duhet të zgjedhë, të ndryshojë, ose të zëvendësojë. Kjo është shumë e rrezikshme për ne, sepse kemi nevojë t’i respektojnë të drejtat e banorëve të atyre fshatrave. Ne reaguam, shkruam, folëm me presidentin e Republikës e shpresojmë që gjërat të përmirësohen.

Çfarë rreziku do të kishim nëse Kurdistani shkëputet nga Iraku?

 Ata kanë të drejtën e vetëvendosjes, por nuk duhet ta kalojnë masën e duhet t’i pyesin të gjithë. Banorët e Pllajës së Ninives janë ata, që duhet të vendosin për të ardhmen e tyre e jo të tjerë. Ka luftë për Pllajën e Ninives e njerëzit kanë akoma frikë të kthehen, sepse nuk dihet asgjë, e ardhmja nuk është e qartë…

Çfarë lajmesh keni nga Mosuli? Organizata “Human Rights Watch” flet për ekzekutime pa gjyq e dhunë kundër atyre, që dyshohen të kenë lidhje me Isisin? A është e vërtetë kjo?

Gjithçka mund të ndodhë, gjithçka, sepse jemi në luftë e nuk ka  kontroll… Shumë njerëz u bashkuan me Isisin e nuk dihet kush është armik e kush jo. Mosuli perëndimor është shkatërruar pothuaj krejtësisht: 80% e qytetit. Nga 10 spitale, 9 janë shkatërruar e edhe 6 ura. Janë bërë rrafsh me tokën edhe 63 kisha e xhamia dhe 11 mijë shtëpi… E ku mund të kthehen njerëzit? Qeveria nuk ka para. Është ankth për të gjithë, me të vërtetë. Fitorja kundër Isisit duhet të jetë edhe rast për pajtimin e politikanëve irakianë. Mjaft me ndarje, mjaft me konflikte, mjaft me luftë! Duhet të mësojnë të kenë respekt e mëshirë për njerëzit, që vuajnë.








All the contents on this site are copyrighted ©.