2017-07-21 18:05:00

Komunikimi: imzot Viganò (SpC) ta thyejmë rrethin vicioz të lajmeve të këqija


“Për ta thyer rrethin vicioz të lajmeve të këqija - siç kërkon Papa Françesku  në Mesazhin për Ditën e 51-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore  - nuk  duhen treguar vetëm lajme të mira, por duhet ndryshuar mënyra sesi tregohen situatat në botë, “gjithnjë plot me dritë e hije, me hir e mëkat, me dhunë e dhembshuri”. E pohoi këtë imzot Dario Edoardo Viganò, prefekt i Sekretarisë për Komunikimin (SpC) e Selisë së Shenjtë, duke folur në paraqitjen  e “#VoltiDiSperanza”  të shoqatës “Miqtë e Santina Zucchinelli”.

Sipas imzot Viganosë, vëllimet e kolanës ndjekin këtë logjikë, sepse rrëfejnë histori njerëzish, që jetuan situata dramatike, ngjarje mizorisht të egra, por të rrëfyera përmes një intrige, që shkon duke krijuar horizontin e faljes së mundshme, të mirëkuptimit të mundshëm. Librat u shkruan nga don Luigi Ginami, i ngarkuar i Sekretarisë së seksionit të parë të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, i biri i Santina Zuchinellit, në emrin e së cilës u krijua edhe Fondacioni Santina.

Duke kujtuar përvojën dhe veprimtarinë e don Ginamit në të katër anët e botës më të varfër e më të vuajtur, imzot Viganò vërejti, me shaka, se “në Kurien e Romës ka priftërinj, që e duan Zotin, që e ndjejnë forcën e dëshmisë, që dinë të kryejnë gjeste ngushëllimi e mirësie”.

E duke komentuar, posaçërisht instant book1 “Joe”, për të cilin shkroi parathënien, prefekti nënvizoi se “tiparet karakteristike të dëshmisë janë takti e heshtja: por është i nevojshëm edhe një shikim i pastër, i cili di t’i gjejë këto shenja të dëshmisë”. Viganò kujtoi, më pas, edhe temën e ekumenizmit, që Papa Françesku vijon ta ketë vazhdimisht në qendër të shërbesës së tij papnore. 

Prefekti vijoi të vërejë se “që feja të bëhet konkrete, duhet ta kemi shumë për zemër historinë e sotme, kujtesën e së kaluarës, por edhe aftësinë për ta parashikuar të ardhmen. E që kjo të bëhet realitet, duhet kujtuar përvoja e Nikodemit, sipas së cilës është e nevojshme të lindim për herë të dytë. “Të rilindim nga lart, për t’i parë në mënyrën e Zotit - punët e botës”.

1 Libër i shkruar dhe i botuar brenda një kohe të shkurtër








All the contents on this site are copyrighted ©.