2017-07-20 00:30:00

Në gusht, kardinali Parolin në Rusi: të kontribuojmë për paqen


“Shkoj në Rusi si bashkëpunëtor i Papës. Si bashkëpunëtor i atij, që dëshiron të ndërtojë ura, për të shtuar në botë, aftësinë që të kuptohemi e të dialogojmë. Për të krijuar një atmosferë e një ambient drejtësie e paqeje”. Kështu deklaron Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke u përgatitur për udhëtimin, që në gusht, do ta çojë në Rusi. Në program, edhe një takim me presidentin Vladimir Putin.

“Do ta lë Shpirtin Shenjt të më prijë” thotë prelati në një intervistë të realizuar nga Rai Vaticano. “Në rastin e Rusisë – shpjegon kardinali Parolin – të ndërtosh ura do të thotë të vijosh marrëdhëniet dypalëshe, që ekzistojnë tashmë e, që prekin veprimtarinë e Kishës Katolike dhe dialogun me Kishën ortodokse. Por, pa dyshim, do të flitet edhe për kuadrin ndërkombëtar, ku Rusia është më aktive, si për temën e Lindjes së Mesme dhe të Sirisë, ashtu edhe për Ukrainën, vend ku shkova vitin e kaluar”.

 Duke u ndalur në veprimtarinë diplomatike të Selisë së Shenjtë, Sekretari i Shtetit të Vatikanit nënvizon se “dialog do të thotë takim, njohje, mirëkuptim. Do të thotë të vihesh në vendin e atij tjetrit e të kuptosh pikpamjet e tij. Të gjesh fusha përkimi e bashkëpunimi”. “Papa – thekson më tej kardinali Parolin – përpiqet të hapë shtigje të reja vëllazërimi. Prek zemrën e njeriut” dhe “ngul këmbë në ndryshimin personal të jetës e në kuptimin e mëshirës, që mund të ketë edhe funksion terapeutik në marrëdhëniet ndërmjet popujve e vendeve”. “Duhen shembur muret e indiferencës”, siç thotë Papa Françesku, i cili uron që të shtohen hapësirat e takimit e të bashkëpunimit, duke u nisur nga të fundmit, nga situatat e varfërisë materiale e shpirtërore.

Emisioni i veçantë i realizuar nga Rai Vaticano, përshkon 19 udhëtimet apostolike ndërkombëtare të Papës Bergoglio, duke ndjekur fillin e dialogut. Dialog i rëndësishëm më shumë se kurrë, po të kemi parasysh edhe vizitën e ardhshme të Atit të Shenjtë në Kolumbi, nga 6 deri më 11 shtator. Do të jetë udhëtimi i tij i 20-të apostolik.

Në programin e tij, Rai paraqet edhe reflektimet e disa personaliteteve të tjera të rëndësishme kishtare, si imzot Marcelo Sanchez Sorondo, kancelar i Akademisë Papnore të Shkencave. “Kur takohet me të pushtetshmit – nënvizon prelati – Papa Françesku kërkon kujdes për drejtësinë shoqërore, sepse Kisha e ka për detyrë të kërkojë drejtësi për ata që vuajnë e që rrezikojnë të përfundojnë si emigrantë, të varfër e skllevër”.

Rëndësia e dialogut theksohet edhe nga prefekti i Kongregatës për Klerin, kardinali Beniamino Stella: “Për Françeskun, e gjithë Kisha duhet të priret drejt takimit – thotë prelati – prandaj u kërkon meshtarëve të formohen” e të ndjekin “shembullin e priftit, që banon në periferitë gjeografike dhe ekzistenciale, të meshtarit që bashkon humanitetin me përshpirtërinë e madhe”. Emisioni i veçantë i Rai Vaticano, realizuar nga Massimo Milone, do të transmetohet në Rai Uno nesër, më 19 korrik, në orën 24.00, dhe do të ritransmetohet nga Rai Storia, të dielën, në orën 12.00, ndërsa jashtë Italisë, po në atë ditë e në atë orë, mund të ndiqet në kanalin Rai Italia.








All the contents on this site are copyrighted ©.