2017-07-19 17:50:00

Papa: të lutemi për viktimat e mafies, të luftojmë kundër korrupsionit


“Të lutemi për të gjitha viktimat e mafies, të kërkojmë forcën për të ecur përpara, për të vijuar luftën kundër korrupsionit”: zëri i Papës Françesku, në ditën, që i kujton Italisë 25-vjetorin e vrasjes së gjykatësit antimafia Paolo Borsellino, ngrihet përmes një tweet-i, publikuar vetëm në gjuhën italiane, në faqen @Pontifex.

         Sepse vrasja e gjykatësit dhe e pesë truprojave, më 19 korrik 1992, ashtu si vrasja, 57 ditë më parë, e shokut të tij Giovanni Falcone (edhe ai gjykatës), së bashku me të shoqen e me tre truprojat, janë krejtësisht krime italiane, fryt i sëmurë i një plage të urryer, “shprehje e kulturës së vdekjes, që vihet kundër Ungjillit” e që i vë një njollë të madhe Italisë prej gati dy shekujsh. E përtej kujtimeve e kërkesave për drejtësi, vlejnë për të gjithë e jo vetëm për Italinë, fjalët, që tha sot presidenti italian Sergio Mattarella, i cili hoqi sekretin shtetëror mbi fashikullin e Borselinos. “Mafia – nënvizoi ai – nuk është e keqe e pashmangshme, por një fenomen kriminal, që luftohet e mundet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.