2017-07-19 14:14:00

Kishat e Lindjes: më 31 korrik Kisha maronite do të kremtojë Ditën e Martirëve


Më 31 korrikun e ardhshëm Kisha maronite do të kremtojë Ditën e Martirëve të Kishave Lindore. Nisma organizohet në kuadrin e Vitit të martirizmit dhe të martirëve maronitë, shpallur nga patriarku i Antiokisë së maronitëve, kardinali Béchara Boutros Raï, më 9 shkurtin e kaluar, ditën e festës së shën Maronit. Viti, gjatë të cilit do të organizohen një sërë takimesh e lutjesh,  do të përfundojë më 2 mars 2018.

Vendimi për t’ia kushtuar ditën e  fundit të korrikut kremtimit të martirëve të Kishave lindore, u konfirmua më 14 korrikun e kaluar - njofton agjencia Fides - me rastin e bisedimit të presidentit të Republikës libaneze, Michel Aoun me një delegacion patriarkal, pritur nga kreu i shtetit në pallatin presidencial të Baabda, në Beirut. I kryesuar nga ipeshkvi maronit i Batrun, Mounir Khairallah, delegacioni e ftoi Aoun në takimin, që do të mbahet të dielë, më 30 korrik, pranë selisë patriarkale verore të Dimane, për të paraqitur Enciklopedinë e Martirëve të kishave të Lindjes, vepër e atë Elias Khalil.

Viti i martirizmit dhe i Martirëve maronitë, së bashku me reformën liturgjike, ishte një nga temat në qendër të punimeve  të asamblesë së fundit  të Sinodit të Kishës maronite. “Viti i martirizimit - lexohet në mesazhin e përhapur në përfundim të sinodit - është rast i zgjedhur për të përtërirë impenjimin e dëshmimit të Krishtit e për të bërë që dashuria të ngadhënjejë mbi urrejtjen, paqja mbi luftën. Është vit, gjatë të cilit duhet ta zhdukim frikën nga zemrat tona, edhe pse shikojmë çdo ditë sulme e persekutime të të gjitha natyrave kundër të krishterëve të Lindjes së Mesme, që detyrohen të braktisin gjithçka e të marrin udhën drejt së panjohurës.

Gjatë takimit u fol edhe për Ditën Botërore të Rinisë maronite në Liban,  nisur më 13, për të përfunduar më 23 korrik. Në këtë takim marrin pjesë të rinj, ardhur nga i gjithë vendi si dhe nga vende të tjera të të pesë kontinenteve. Ndërmjet veprimtarive në program, edhe vizitat në disa nga qendrat baritore dioqezane, në disa kuvende si dhe dy takime me Patriarkun Raï, në Bkerké dhe Dimane.   








All the contents on this site are copyrighted ©.