2017-07-19 12:17:00

Forum për Jeruzalemin dhe fetë monoteiste. Atë Patton: paqja, ëndrra e Zotit


Të ndërtohen ura, duke lehtësuar takimin ndërmjet botëkuptimeve të ndryshme, për të arritur bashkëjetesën paqësore, më e nevojshme se kurrë në këtë atmosferë të vazhdueshme frike. Ky është objektivi i Forumit ndërfetar, që u hap sot në Jeruzalem, me synimin për të nxjerrë në pah vlerën historiko-kulturore e jo vetëm atë teologjike të qytetit simbol për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët. “Jeruzalemi dhe fetë monoteiste: simbolet, qëndrimet dhe jeta konkrete”: ky është titulli i takimit, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të tri feve monoteiste, por edhe ekspertë të gjeopolitikës e dëshmitarë të dialogut. Qyteti i Shenjtë, i ndarë përgjysëm, fatkeqësisht, është shpesh teatër dhune. E megjithatë, Jeruzalemi vijon të ketë një rol themelor në përcaktimin e identitetit të secilës prej bashkësive fetare, që jetojnë aty. Në mikrofonin tonë, Rojtari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton:

Ky Forum bën pjesë në një kuadër tri nismash, që synojnë ndërtimin e urave, krijimin e rasteve për dialog, nxitjen e bashkëjetesës paqësore: të gjitha gjëra, të cilat, në këtë çast, po i përjetojmë si më të nevojshme se kurrë. Secila prej tri bashkësive fetare të Jeruzalemit ka variantin e vet të historisë dhe është e lidhur me vendet e qytetit. Për shembull, Sheshi i Tempullit është edhe Sheshi i Xhamive. Në narrativën islamike është vendi i tretë i shenjtë për Islamin, por në narrativën hebraike është vendi, ku ngrihej Tempulli, pra, vendi më i shenjtë për hebraizmin. Për ne të krishterët, Jeruzalemi do të thotë sidomos Varri i Shenjtë, Mundimet e Krishtit. Prandaj, narrativa e bashkësive të ndryshme duhet bashkëndarë në një farë mënyre, për të dalë nga ideja se është një e vetme, që zotëron ekskluzivën apo monopolin mbi historinë e qytetit e mbi kulturën e tij. Nga kjo pikpamje, fetë monoteiste, me simbolet, me qëndrimet, me jetën e tyre konkrete, mund e duhet të japin një kontribut themelor.

Pavarësisht nga vështirësitë, që has dialogu në Jeruzalem, për shkak të konfliktit ndërmjet bashkësive, sidomos asaj palestineze e asaj izraelite, arti, kultura e historia mund të shërbejnë si ura e si mjete për bashkëjetesën paqësore. Në ç’mënyrë?

 Ai, që ka arritur kulme në këtë qytet, është një art shumë i lashtë, që arkeologët nuk reshtin s'e zbuluari e s'e aktualizuari. Kjo vlen edhe për kulturën, e cila duhet njohur pa tjetër. Madje, secili duhet të njohë të vetën së pari, pasi kjo lidhet me identitetin personal e të bashkësisë, ku bën pjesë. Por, pak nga pak, duhet të njohë edhe kulturën e tjetrit e identitetin e tij, sepse nuk mund të mendohet për dialog serioz, nëse nuk ka bashkëveprim ndërmjet identiteteve. Janë të rëndësishme edhe nismat me karakter kulturor, por të thjeshta. Për shembull, përfshirja e shkollave në njohjen e Jeruzalemit. Ne kemi hapur një seksion multimedial të Muzeut të Tokës Shenjte përgjatë Udhës së Mundimeve e, shumica e shkollave, që vijnë ta vizitojnë, janë myslimane. Kështu po bëjmë edhe përmes shenjtëroreve, ose përmes ekspozimit të mozaikëve, shumica palestineze. Me botën hebraike po veprojmë në të njëjtën mënyrë. Kemi figura, si shën Gjon Pagëzuesi, që janë pika takimi.








All the contents on this site are copyrighted ©.