2017-07-19 14:03:00

Emigrantët: Papa e Karitasi shpallin, më 27 shtator, fushatën botërore “Share the journey”


Papa Françesku do të shpallë, më 27 shtator, nga Sheshi i Shën Pjetrit, fushatën e Caritas internationalis: “Share the journey”(Të ecim së bashku), që synon të promovojë kulturën e takimit si në bashkësitë me origjinë emigrantësh, ashtu edhe në ato, që janë në kalim ose mendojnë të ndalohen atje, ku arritën. Në një letër, shkruar me këtë rast, kardinali Luis Antonio Tagle, kryetar i Caritas internationalis, i fton famullitë, organizatat dioqezane e kombëtare të bashkohen me Papën Françesku në këtë ditë, duke e shpallur fushatën globale edhe në vendet e tyre. Përmes kësaj fushate - shkruan kardinali Tagle - shpresojmë ta zhdukim frikën e të kuptojmë pse gjithë këta njerëz i braktisin shtëpitë e tyre në këtë çast historik. Dëshirojmë edhe t’i nxisim bashkësitë të krijojnë marrëdhënie me refugjatët dhe emigrantët, duke ndezur, kështu, një dritë për ta ndriçuar me të rrugën e emigrimit, që është histori shumë e lashtë. "Fushata jonë synon t’i ndihmojë bashkësitë ta shikojnë këtë histori me sy të rinj  e me zemër të hapur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.