2017-07-18 00:00:00

Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, Imzot Gallagher: “Liria fetare, zemër e të drejtave të njeriut”


“Edhe para barbarive të Isisit, të krishterët dhe pakicat e tjera ndjeheshin shtetas të klasës të dytë”. Fjalë të ashpra, por të domosdoshme për t’u thënë, këto që shqiptoi Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet i Selisë Shenjtë, imzot Paul Gallagher, gjatë konferencës ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave fetare, mbajtur këto ditë në Farnesina, pranë selisë së Ministrisë së Jashtme italiane”. Në territoret e shkëputura nga Shteti i vetëshpallur Islamik- shtoi Prelati - ideologjia diskriminuese nuk është shembur me disfatën e të ashtuquajturit Shet islamik në Lindjen e Mesme. Rindërtimi i shtëpive në Irak, do të jetë pjesa më e lehtë - nënvizoi imzot Gallagher –shumë më e vështirë do të jetë të rindërtosh shoqërinë irakiane edhe të krijosh kushtet shoqërore, ekonomike dhe politike për të fituar atë besim, që do t’i bindë njerëzit se mund të rikthehen në shtëpitë e tyre e mund të vënë bazat e bashkëjetesës paqësore”.

Kryeipeshkvi Gallagher nënvizoi edhe se Selia e Shenjtë kërkon mbrojtjen e të gjitha pakicave dhe të gjitha bashkësive, pavarësisht nga raca a përkatësia etnike e fetare. “Selia e Shenjtë e ndjek me vëmendje të posaçme fatin e bashkësive të krishtera, posaçërisht në Lindjen e Mesme, vendlindja e krishterimit, me zanafillë në solidaritetin shpirtëror, por nuk i mbyll kurrë sytë para vuajtjeve dhe persekutimeve të grupeve të tjera - shpjegoi. - Kur një bashkësi fetare ose etnike kërcënohet, kjo i dëmton të gjitha bashkësitë, edhe ato, që mund të jenë burim i këtyre kërcënimeve”.

“Duhet njohur një e dhënë historike, e nënvizuar vazhdimisht nga shumë papë: krishterimi është themelor për identitetin e vërtetë të Lindjes së Mesme. Prandaj - kujtoi - duke kërcënuar të krishterët, xhihadistët duan të shkatërrojnë pikërisht këtë identitet. Pluralizmi fetar nuk imponohet nga askush, as nga jashtë: është realitet mijëravjeçar në Lindjen e Mesme. Kjo larmi është e përhershme në Lindjen e Mesme dhe përbën karakteristikën kryesore, duke garantuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet njerëzve me besojma të ndryshme”.

Nisur nga këto konsiderata, lind pyetja kryesore: “Si duhet t’u përgjigjemi diskriminimeve? Nga duhet të nisemi, për t’i ndihmuar pakicat?”.  Përgjigjja e imzotit Gallagher është e qartë: liria fetare mbrohet sidomos duke luftuar radikalizmin dhe të gjithë ata, që duan ta përdorin fenë si bazë për dhunën. E kjo duhet bërë sidomos në botën e internetit e të teknologjive të reja, ku mesazhet e gabuara përhapen me shpejtësi të rrufeshme. Liria fetare -  shpjegoi - ka shumë rëndësi, edhe si pjesë e të drejtave njerëzore, që lidhen e ndikojnë mbi njëra-tjetrën. Këto të drejta nuk mund të ndahen në pjesë të ndryshme. Liderët fetarë duhet t’i ndihmojnë njerëzit të kuptojnë se të njohësh përmasën fetare të ekstremzmit të dhunshëm, ose përdorimin e fesë për qëllime të dhunshme, nuk do të thotë ta vësh fenë, ose një pjesë të saj, ose mbarë bashkësinë fetare, në të njëjtin plan me dhunën. Prania ushtarake për të mundur armikun,  nuk është garanci - theksoi - ideologjia e djallit do të mundet, por për ta bërë këtë, duhet t’i shumëfishojmë përpjekjet tona për t’iu kundërvënë kësaj ideologjie.

Në të vërtertë - shtoi imzot Gallagher - që nga vjeshta e kaluar, shumica e pjesëve të territoreve të pushtuara në veriun e Irakut nga Shteti islamik, u liruan, duke përfshirë edhe fshatrat e krishtera të Rrafshit të Ninives. Por, për fat të keq,  pavarësisht nga dëshira për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre, vetëm pak të krishterë dhe grupe të tjera qenë në gjendje ta bëjnë këtë. Shtëpitë e shkollat janë ende gërmadhë. Megjithëse këto territore u çliruan nga armiku, mbetet ende shumë për të bërë që të krishterët dhe pakicat tjera të rikthehen të sigurt në shtëpitë e tyre.

Kujtojmë se me rastin e konferencës në Farnezinë, Ministri i Jashtëm italian dha njoftimin për themelimin e një Vëzhguesi për pakicat fetare në Botë. Një organizëm që, përmes rrjetit diplomatik, “do të shënojë rastet më domethënëse dhe të bëjë të njohura situatat më kritike në të cilat ndodhen këto pakica”.








All the contents on this site are copyrighted ©.