2017-07-15 17:14:00

Lutje: Fjala jote, Jezus, farë e shpresës sonë


Shëmbëlltyra e farës tingëllon si thirrje urgjente për ta dëgjuar Fjalën e Mbretërisë, si ftesë për ta mirëpritur në mënyrë vepruese e ngulmuese. Nga njëra anë Fjala ndeshet me kundërshtarët e me refuzimin e judenjve, nga ana tjetër, mirëpritet nga një grup dishepujsh. Krerët e judenjve i kundërvihen mbretërisë, ngarkuar me dyshime, akuza, kërcënime; të vegjlit e pranojnë plot besim e entuziazëm lajmin e mirë, që premton falje e paqe.

Shëmbëlltyra ungjillore shpjegon kontrastin ndërmjet dështimit të farës në tri tokat e para, e korrjen e ngadalshme, por të begatë në të katërtën. Ungjilltari e rilexon shëmbëlltyrën, për t’i mbushur me besim ata, që e shtrijnë në kohë misionin e Jezusit:  e mbjellin papushim farën e Fjalës së Tij.

Lutje frymezuar nga Ungjilli sipas Mateut 13, 1-23

Fjala jote, Jezus, farë e shpresës sonë

 Shumë njerëz rreth teje, Jezus,

shumë shpirtra që, larg korpit,

të enden përherë përreth

e nuk largohen

as kur bie muzgu

e dielli  shkon me fjetë.

Kërkojnë tokë të re e qiell të ri.

Atëherë të duhet

të hipësh përmbi barkë...

Nga barka kundron zemrat.

Shesh sy që vezullojnë,

që në bebe u ndizen shpresat

si zjarr që kurrë s’u shua.

Por a mjafton ky vezullim

për ta ndërtuar Mbretërinë?

Mjafton ta marrësh këtë farë

që ti e shpërndan me dy duart

ndër brazda të jetës?

Jo, s’ mund të mjaftojë.

Pse fara nuk është bërë

vetëm për tokën!

Eshtë e caktuar

të bjerë në vise e kohë.

Fara ka brenda jetën,

që pritet të shpërthejë.

Ky, fati i saj:

të mungullojë, të çelë filizin e ta rrisë,

larg ferrash, që i marrin frymën

larg drizash, ku struken gjarpërinjtë,

që frytin e helmojnë.

Po fara që s’ sjell fryt

është farë e humbur!

Kështu Fjala Jote, Jezus!

Kur lule s’end e s’pjek fryt,

kur s’mbushet plot me kokrra..

mbetë fjalë pa bukë...

Na mëso, o Zot, ta rrisim

farë e filiz e kalli.

Ta rrisim farën mësona,

edhe ndër gurëzit

e përrojeve të thata:

që të mbushet me kallinj,

për Bukë të sofrës sate!








All the contents on this site are copyrighted ©.