2017-07-13 16:39:00

Ipeshkvijve të botës u drejtohet një letër “mbi bukën dhe verën për Eukaristinë”


“Është me rëndësi të dorës së parë mbikqyrja e cilësisë së bukës dhe verës së caktuar për Eukaristinë, sepse kjo lëndë e flijimit eukaristik përcakton  besimin tonë në misterin e Eukaristisë. Ka një lidhje të ngushtë ndërmjet asaj që besojmë për misterin e Eukaristisë, e asaj, që manifestohet përmes shenjës sakramentore të bukës e të verës.

Imzot Claudio Magnoli, specialist liturgjist dhe anëtar i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve, e komenton këtë letër qarkore kushtuar “Bukës dhe verës për Eukaristinë, drejtuar ipeshkvijve të botës pikërisht nga organizmi, në të cilin bën pjesë. Zgjedhja e bukës së grurit dhe e verës së rrushit është shprehje e vullnetit të vetë Krishtit, kur themeloi Eukaristinë. Prej këndej e zgjodhi edhe Kisha, gjë që u konfirmua nga një mori koncilesh, nga lashtësia, deri tek Koncili II i Vatikanit - shpjegon imzot Magnoli -  i cili kujton se po të mungojë njëri nga dy elementet,  Eukaristia që kremtohet është e pavlefshme, nuk është Eukaristi: nuk respekton çka u themelua nga vetë Zoti ynë.

Si shpjegohen, atëhere, shpërdorimet e atyre, që kremtojnë me hoste të pluhurosura me sheqer e mjaltë e me birrë në vend në verës?

Imzot Magnoli shprehet qartë: “Janë shpërdorime, që rrjedhin nga e ashtuquajtura teori e inkulturimit. Nga ajo ide, sipas së cilës Jezusi zgjodhi bukën e verën,  thjesht sepse ishin elemente të kulturës së tij, kulturës së botës mesdhetare. Prandaj disa teologë, e pastaj edhe disa pastoralistë, hamendësuan se në zonat e tjera të botës  mund edhe të zëvendësoheshin me elemente të tjera. Me një fjalë duhet të gjejmë një teologji, që t’i përgjigjet kësaj ideje, sipas së cilës Jezusi zgjodhi bukën e verën si element kulture e jo si element të fortë e  përcaktues të fesë sonë. Siç është në të vërtetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.