2017-07-13 17:06:00

Banjorexho, të shtunën më 15 korrik, 800-vjetori i lindjes së Shën Bonaventurës


Të shtunën, më 15 korrik, Banjorexho do të kremtojë 800-vjetorin e lindjes së Shën Bonaventurës. Ndërmjet veprimtarive në program, edhe paraqitja e librit “Bonaventura nga Banjorexho”, shkruar nga Barbara Faes.

Kremtimin, që do të mbahet pranë auditoriumit komunal, do ta hapë atë Pietro Messa i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, drejtor i shkollës së lartë të studimeve mesjetare françeskane. Pas paraqitjes së librit, do të shkëmbehen pyetje - përgjigje për figurën e Shenjtit dhe për veprën e tij. Në përfundim, në Kishën katedarle do të kremtohen Mbrëmësoret e para  të solemnitetit të Shën Bonaventurës.  

Shën Bonaventurën, teolog e mistik i madh françeskan

Bonaventura lindi më 1217 në Banjoregjo në provincën e Viterbos, u bë frat, gjeneral i Urdhrit e pastaj kardinal e ipeshkëv i Albanos. Vdiq më 1274 gjatë Koncilit II të Lionit në Francë. Njihet si një nga teologët më të mëdhenj të Kishës katolike. Por mbi ç’ baza ngrihet teologjia e tij?

Bonaventura është teolog me shpirt thellësisht mistik. Për të gjithçka është në shërbim të thellimit të përvojës të jetës së fesë. Është shpirt françeskan, që e shikon Zotin si vlerën më të lartë për njeriun, sepse njeriu vjen nga Zoti e duhet të kthehet tek Zoti, përmes ndërmjetësimit të Fjalës së mishëruar e të kryqëzuar. E ai, Bonaventura, e jeton thellësisht përvojën mistike si bashkim kundrues plot dashuri me Zotin, e mira më e Lartë, që e bën të jetojë qysh në tokë përvojën e bashkimit intim me Hyjin, e cila provohet vetëm në Parajsë.

Shën Bonaventura ka thënë: “Nuk mjafton studimi - pa mrekullinë, s’mjafton shkenca - pa dashurinë e krishterë, e s’mjafton mençuria - pa përvujtërinë”.
U shpreh kështu me vetëdijen e plotë se i gjithë misteri i përvojës së krishterë është dhuratë që vjen nga Zoti, është dhuratë e Shpirtit Shenjt e se nisma është e Zotit. Gjithçka jemi vjen nga Zoti, i cili pret që ne ta lemë vetën në duart e tij, në vullnetin e tij e të marrim pjesë në nismën hyjnore.

"Të krishterët të mësojnë nga Shën Bonaventura"

Shën Bonaventura, qe dishepull i denjë të Shën Françeskut, reliket e tij ruhen në qytetin Banjorexho, ku ekziston edhe një Qendër Studimesh Bonaventuriane, ndërsa personalitetin e këtij shenjti të madh mund ta përshkruajmë me tri cilësi kryesore,: Shën Bonaventura ishte, në radhë të parë, një kërkues i palodhur i Zotit, që kur kryente studimet në Paris, e vazhdoi të jetë deri në vdekje. Në shkrimet e tij tregon rrugën që duhet përshkuar: “Meqë Zoti është lart – shkruan Bonaventuar – është e nevojshme që mendja të lartohet deri te Ai me të gjitha forcat”…

Shën Bonaventura qe edhe këngëtar serafik i krijimit, që pas gjurmëve të Shën Françeskut, mësoi si “të lëvdojë Zotin në të gjitha krijesat e përmes tyre”… Sa do të ishte e nevojshme, që edhe sot të rizbulohej bukuria e vlera e universit të krijuar, në dritën e mirësisë e të bukurive hyjnore!...

Shën Bonaventura, së treti, ishte lajmëtar i shpresës… Kush shpreson – pohon ai - “duhet të ngrejë kryet, duke i drejtuar lart mendimet, drejt lartësive të qenies sonë, pra, drejt Zotit. Prandaj duket të mësojnë nga ky Doktor i madh i Kishës për të thelluar dijen e rrënjosur në Krishtin.

Ta bëjmë tonën trashëgiminë, që na la ky Dijetar i shquar i Kishës, i cili na kujton domethënien e jetës, me fjalët: “Mbi tokë… mund ta kundrojmë pafundësinë hyjnore përmes arsyetimit e admirimit; ndërsa në atdheun qiellor, përmes vegimit, kur të bëhemi të ngjashëm me Zotin, e përmes ekstazës.. do të hyjmë në galdimin e Hyjit. Këtë na kujton teologu i madh françeskan në ditën e festës së tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.