2017-07-11 12:52:00

Miratohet Traktati antibërthamor. Tomasi: hap i rëndësishëm për paqen


Kombet e Bashkuara adoptuan formalisht një traktat, që duhet t’i japë fund përdorimit të armëve bërthamore, deri tani të vetmet armë të shkatërrimit në masë pa ndonjë dokument përkatës, që i ndalon. Traktati u miratua nga 122 vende, por fuqitë e mëdha, si SHBA-të dhe vendet e Natos, nuk morën pjesë në votim dhe i konsideruan foshnjarake objektivat, për ta, të paarritshme, posaçërisht në këto çaste, kur Koreja e Veriut dëshiron të lëshojë raketa bërthamore kundër territoreve të tjera. Folëm me imzot Silvano Maria Tomasin, sekretar delegat i Dikastetrit vatikanas për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor:

Përgjigje: - Ky votim shumë i rëndësishëm është hap i ri në kërkimin e paqes. Prej ndonjë viti disa shtete, duke përfshirë edhe Selinë e Shenjtë, po punojnë për ndalimin jo vetëm të përdorimit, por edhe të posedimit të armëve bërthamore. Kjo udhë nisi posaçërisht nga takimi i Vjenës, në nëntor 2014, kur Papa Françesku, përmes një mesazhi, pohoi me ngulm se sot nuk është e arsyeshme ta mendosh sigurinë të varur nga armët bërthamore; nga blerja a posedimi i tyre ose i dispozitivave të lëndëve shpëthyese bërthamore! E, me këtë traktat, kjo nuk mund të bëhet më.

Pyetje: - Deshëm të kërkonim një koment lidhur me faktin se nëntë vende,  edhe aleatët e Natos, duke përfshirë Italinë, nuk morën pjesë në votimin e këtij komisioni dhe e quajtën “foshnjarak” Traktatin, edhe në dritën e kërcënimeve bërthamore, që arrijnë në këto çaste nga Koreja e Veriut…

Përgjigje: - Sigurisht vendet që kanë bomba atomike e shikojnë si gjest pakëz idealistik vendimin për ta vënë në votë një traktat të tillë. Por nuk është kështu. Po të mendojmë se armët kimike e biologjike, minat kundër njeriut, bombat cluster janë të gjitha armatime shprehimisht të ndaluara nga Konventat ndërkombëtare, mungesa e një traktati ishte gati-gati zbraztësi juridike përsa u përket armëve bërthamore, që janë edhe më të dëmshme sesa ato konvencionale. Shikojmë se po bëhet një hap përpara, për të krijuar  mendësinë, sipas së cilës nuk është e vërtetë se një vend dhe të gjitha vendet janë më të sigurta kur e kanë bombën atomike. Përkundrazi: janë më të sigurta, kur nuk e ka asnjë vend…

Pyetje: - Pse Selia e Shenjtë, e edhe ipeshkvijtë evropianë, ipeshkvijtë amerikanë, janë në kundërshtim me parimin e mjetit frikësues, që deri tani e ka justifikuar posedimin e armëve bërthamore? Pse ky parim nuk vlen më?

Përgjigje: - Gjatë luftës së ftohtë, parimi i frikësimit pranohej si rrugëzgjidhje për të vendosur ekuilibrin, gjë që parandalonte përdorimin e armëve atomike. Rrethanat kanë ndryshuar: pavarësisht nga “Non Proliferation Treaty”(Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore), kemi disa vende që ua shtuan arsenaleve të tyre edhe bombën atomike, si Pakistani, India, Izraeli e tani edhe Koreja e Veriut. Por nuk duhet menduar kurrë se ky kërcënim reciprok vdekjeprurës është udha që duhet të marrë familja njerëzore; udha në të cilën duhet ecur është ajo e bashkëpunimit, e kërkimit të dialogut të përhershëm përmes strukturave ndërkombëtare efikase. Siguria garantohet nga dialogu, jo nga forca. 








All the contents on this site are copyrighted ©.