2017-07-08 00:00:00

Shenjtorët e javës më 10 -17 korrik


E diel 9 korrik, Kisha kremton të Dielën e 14-të gjatë vitit kishtar, e po më 9 korrik, kalendari kishtar përkujton edhe shenjtorët Agostini Zhao Rong, meshtar e Shokët, martirë kinezë; shën Adrianin III, Papë, shën Veronikën Gjuliani, abateshë, klarise kapuçine.

Të hënën më 10 korrik, kalendari  kishtar përkujton shenjtoret Rufina, Sekonda, Anatolia e Vitorja, martire. Liturgjia e ditës na paraqet kërkesën qendrore e rrënjësore të moralit të krishterë: dashurinë. Të jemi të vëmenshëm e të kujdesimi sipas shëmbëlltyrës së samaritanit të mirë.

Të martën më 11 korrik, kalendari kishtar përkujton Shën Benediktin, Abat, nga Norça, pajtor i Evropës, që ndër shqiptarë njihet edhe me emrin Bekimi - e Shën Piun I papë.  Shën Benedikti është ati i jetës murgare perëndimore. Rregulli i tij, që përmbledh traditën murgare lindore, duke e përshtatur me botën latine, hap rrugën e re të qytetërimit evropian, pas rënies së qytetërimit romak. Në brazdën e hapur nga Benedikti në mbarë kontinentin e vjetër, u mbollën e mbinë manastire të shumtë, qendra përshpirtërie të thellë dhe fanarë që vijojnë të japin dritë edhe sot, kur shumë prej tyre janë materialisht s’janë, veçse rrënoja.

Të mërkurën më 12 korrik, kalendari kishtar  përkujton Shën Veronikën. Emri i saj përmendet për herë të parë në Ungjijtë apokrifë, lidhur me gruan që vuante nga hemorragjia, për të cilën ungjijtë kanonikë tregojnë çau turmën për të prekur kindin e petkut të Jezusit dhe u shërua në vend.

Të enjten më 13 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Henrikun II Duka i Bavarìsë, qe kurorëzuar perandor më 1014 nga Papa Benedikti VIII. Mbretëroi duke u përkujdesur për promovimin dhe ngritjen njerëzore të krishterë të njerëzve. Prapa insistimit të tij papa Benedikti VIII e vendosi Besojmën e krishterë në Meshën e së dielave e të festave kryesore.

Të premten më 14 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Kamilin de Lellis, meshtar. Lutja që Shën Kamili pëlqente më shumë e të cilën e përsëriste më shpesh: “Do të desha një zemër të madh sa vetë bota!”. Një zemër që i zë të gjithë njerëzit. Jetoi me moton: “T’u shërbesh të varfërve, do të thotë t’i shërbesh vetë Krishtit”. Kamili gjeti kështu idealin, për të cilin ia vlen të shkrish të gjitha energjitë e jetës.

Të shtunën më 15 korrik, kalendari kishtar përkujton shën Bonaventurën nga Bagnoregio, ipeshkëv e dijetar i Kishës, teolog e mistik i madh françeskan. Liturgjia hyjnore na kujton se në mbarim të jetës sonë, kur do të prekim bregun tjetër, vetë Zoti do t’i marrë në duart e tij veprat tona të mira. Atje do të vijnë edhe engjëjt e do të pastrojnë, bashkë me Të, çka nuk është pastruar plotësisht në jetën tonë. E në dorë të Zotit do të mbetet vetëm dashuria e jetuar
 
Të dielën e ardhshme më 16 korrik, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën 15-të gjatë kishtar, e gjithnjë më 16 korrik, Kisha do të kremtojë edhe festën e Zojës së Karmelit, që tradita e Kishës në Shqipëri e njeh me emrin Zoja Karmë. Përkujtohet edhe Shën Maria Madalena Postel, virgjër, themeluese e motrave të shkollave të krishtera të mëshirës. Liturgjia e festës na kujton se Jezusi është në qendër të gjithçkaje dhe na kërkon ta vëmë mbi gjithçka: mbi prindërit, mbi bijtë e edhe mbi jetën tonë. Vetëm kështu nxënësi bëhet i denjë për Jezusin. Është një kërkesë që s’të lë në paqe, sepse i ngjet shpatës, që pret çdo lidhje.
 








All the contents on this site are copyrighted ©.