2017-07-07 12:30:00

Papa Françesku: Jezusi na do, sepse ‘të diplomuar’ në mëkatet tona


“Të gjithë jemi mëkatarë. Ky, titulli ynë e kjo, edhe mundësia për ta tërhequr Jezusin. Jezusi vjen tek ne, vjen tek unë, pikërisht sepse jam mëkatar”. Janë fjalët e Papës Françesku gjatë homelisë së Meshës,  kremtuar sot në mëngjes për punëtorët e Qendrës Industriale të Vatikanit, siç quhet ofiçina vatikanase. Të gjithë - ngulmoi Papa - jemi mëkatarë. E kemi të gjithë këtë diplomë. Jemi të diplomuar. Secili prej nesh e di mirë ku është më i fortë mëkati i tij, ligështia e tij. Para së gjithash duhet ta njohim këtë. Sepse të gjithë ne, që jemi këtu, mund edhe të themi: “Jooo, unë nuk jam mëkatar” . Kështu thoshin edhe farizenjtë. E Jezusi i dënon. Ishin krenarë, mendjemëdhenj, e mbanin veten shumë më lart se të tjerët.

Jezusi - vijoi të shpjegonte Françesku - erdhi për mëkatarët, jo për të drejtët. Të drejtët nuk kanë nevojë. “Nuk janë të shëndoshët, që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët, shkoni e dëgjoni ç’do të thotë mëshirë, mëshirë dua unë, jo fli! Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët”. Kur i dëgjoj këto fjalë, ndjej se Jezusi po më thërret, e të gjithë mund ta ndjejmë veten kështu. E mund të themi: “Jezusi erdhi për mua”. Ky është ngushëllimi ynë e besimi ynë: e dimë se Ai na fal gjithmonë. Ai e shëron shpirtin gjithmonë, gjithmonë. Në çastet e shëmtuara, kur e ndjejmë fort barrën e rëndë të së keqes që kemi bërë, i ndjejmë pasojat e shkarjeve të jetës e peshën e shumë gjërave të papëlqyera…  pikërisht atëherë shpirti i munduar thotë: “Jezusi më do, sepse jam kështu”. Këtë theksoi Papa, duke kujtuar, më pas, vërejtjet pa fund që mund të bëjë mëkatari, para gjithë kësaj mëshire: “Po unë jam i ligësht, mund edhe të rrëzohem përsëri… unë jam… “. “Mos ki frikë, Jezusi vjen e të ngre përsëri në këmbë. Të ngre e të shëron gjithnjë. Ky është ngushëllimi ynë. Jezusi erdhi për mua, për të më dhënë forcë, për të më bërë të lum, për ta qetësuar ndërgjegjen time të trazuar. Mos ki frikë!”.

Duke kujtuar dëshirën e Jezusit për t’i shpëtuar mëkatarët, Françesku solli dy shembuj: Shën Mateun e Shën Jeronimin. Jezusi - kujtoi - pa një burrë ulur në doganë. Ishte tagrambledhës. Këta njerëz shikoheshin shtrembër  nga të vetët, sepse u vilnin taksat e paratë e mbledhura ua dorëzonin romakëve pushtues. Pa harruar të mbushnin edhe xhepat e vet, kuptohet. Ua jepnin romakëve! E shisnin lirinë e atdheut tek të huajtë për dy aspra. Ishin tradhtarë të atmes. Po Jezusi, sa e pa, i tha: “Eja pas meje!” E ai u ngrit dhe i shkoi pas. Jezusi zgjodhi një Apostull pikërisht ndërmjet kësaj fare të keqe. Zgjodhi më të mbrapshtin. Më pas ky Maté, i ftuar për drekë, u mbush përplot me gëzim. E u bë Apostull i vërtetë!

Më parë, kur kaloja ca ditë në Romë, në Via della Scrofa – kujtoi Papa - më pëlqente shumë të shkoja tek kisha e Shën Luigjit të francezëve  për të soditur Karavaxhon. Kundroja pikërisht Mateun, kapur fort pas parave, e Jezusin, që e tregon me gisht. Ai i kapur pas parave e Jezusi pas tij. E zgjedh dhe e fton për drekë. Atë e gjithë klikën: tradhtarë të atdheut, tagrambledhës… Duke e parë këtë, farizenjtë, që e mbanin veten të drejtë, nisën ta gjykonin e të thoshin: “Epo si kështu, Mësuesi juaj të ngatërrohet me këtë farë shoqërie?”. E merrnin përgjigjen: “Nuk erdha të thërras të drejtët, por mëkatarët”. Kjo më ngushëllon shumë, më bën të mendoj se Jezusi erdhi për mua!

Më vjen, pastaj, në mend, një shenjt i madh, Jeronimi, njeri tepër i zorshëm, i papërmbajtur. Bënte çmos ta përmbante veten, dëshironte të ishte i ëmbël, i butë… por nuk ia delte gjithnjë, sepse ishte dalmat, e dalmatët janë burra të fortë… Prej këndej, pas shpërthimeve, rrihte kraharorin me gurë e thoshte: “Më fal, o Zot, se jam dalmat!”. Domethënë, ilir! E kështu arriti ta zotërojë veten, duke flijuar gjithçka para Zotit, duke punuar rëndë e duke biseduar me Zotin në lutje. E i thoshte Zotit: “Ç’kërkon nga unë?. “Nuk më ke dhënë akoma gjithçka mund të më japësh” – ishte gjegjja. “Po, o Zot, unë të dhashë këtë e këtë e këtë...  çka mungon akoma?”. “M’i jep mëkatet tuaja”- i tha atëhere Zoti në lutje. E bukur ta dëgjosh këtë: “M’i jep mëkatet tuaja, ligështitë tuaja e unë do t’i shëroj e ti ec përpara!”.

Sot, në këtë të premte të parë, të mendojmë për Zemrën e Krishtit, që të na bëjë ta kuptojmë këtë gjë kaq të bukur. Jezusin me zemër të mëshirshme, I cili na thotë vetëm: “M’i jep ligështitë tuaja, m’i jep mëkatet, unë fal gjithçka”. Jezusi – përfundoi Papa – fal gjithçka, fal gjithnjë. Qoftë ky gëzimi ynë!








All the contents on this site are copyrighted ©.