2017-07-07 11:52:00

Mesazhi i Papës për G20: ekonomia botërore të jetë gjithëpërfshirëse


Papa Françesku i drejtohet me një mesazh mbledhjes së G20-ës në Hamburg të Gjermanisë, me të cilin kërkon që ekonomia botërore të jetë gjithëpërfshirëse. Duke shtjelluar katër koncepte, Ati i Shenjtë kërkon edhe fundin e konflikteve e zgjidhje për fenomenin e emigracionit.

G20: dje, 111 policë të plagosur, sot guerrilje e re

Hamburgu përjetoi sot orë guerriljeje nëpër sheshe, ndërsa liderët e 20 vendeve të botës, që sigurojnë 90% të prodhimit ekonomik botëror, janë mbledhur për të diskutuar mbi masat, që duhen marrë, për qeverisjen dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë globale, duke i kushtuar vëmendje të veçantë tregjeve financiare e tregtare, problemeve fiskale dhe, në përgjithësi, zhvillimit ekonomik botëror. Dje, në ndeshjet me policinë nëpër sheshe, u plagosën 111 policë, pavarësisht se organizatorët e anuluan manifestimin, në të cilin do të merrnin pjesë 12 mijë vetë. Ndërhyrja e anarkistëve “black bloc”, që kishin ardhur nga vende të ndryshme evropiane, bëri të përdoreshin gaz lotsjellës e hidrantë. 29 vetë u arrestuan.

Katër parime nga Evangelii Gaudium

Në mesazhin e tij, Papa Françesku u paraqet liderëve botërorë, katër parime mbi të cilat duhet bazuar ndërtimi i shoqërive vëllazërore, të drejta e paqësore, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium”. “Koha ka epërsi mbi hapësirën”, është parimi i parë, që përmend Ati i Shenjtë, për të vazhduar më pas me parimet e tjera: “uniteti mbizotëron mbi konfliktin; realiteti është më i rëndësishëm se ideja; e tera ka epërsi mbi pjesët”. Janë linja veprimi, që i përkasin urtisë shumëshekullore të njerëzimit, thekson Papa.

Koha ka epërsi mbi hapësirën. Thirrje për Sudanin Jugor, Çadin, Bririn e Afrikës e Jemenin

Duke shtjelluar parimin e parë, Ati i Shenjtë nënvizon se shumë probleme si varfëria, emigracioni e të tjera, nuk mund të zgjidhen menjëherë, kanë nevojë për kohë. Por, “është e mundur – thekson më tej – të vihen në lëvizje procese, në gjendje të japin zgjidhje progresive e jo traumatike, duke çuar, brenda një kohe relativisht të shkurtër, në qarkullimin e lirë e në qëndrueshmërinë e njerëzve”. Gjithsesi, vëren Papa Françesku, çdo zgjidhje, pavarësisht se e shtrirë në kohë, do të japë fryte, vetëm nëse objektivi përfundimtar mbahet parasysh që në fazën e projektit. Prandaj, politikanët, qysh kur i mendojnë masat për t’u marrë, duhet të kenë parasysh përparësitë për “të varfërit, refugjatët, të vuajturit, të shpërngulurit e të përjashtuarit, pa dallim kombi, race, feje apo kulture”.

Ati i Shenjtë u bën një thirrje të fuqishme krerëve të shteteve e të qeverive për gjendjen në Sudanin Jugor, në zonën e Liqenit të Çadit, në Bririn e Afrikës dhe në Jemen, ku rreth 30 milion vetë nuk kanë ushqim e ujë për të mbijetuar.

Uniteti mbizotëron mbi konfliktin

Duke nënvizuar parimin e dytë, marrë nga Nxitja Apostolike “Evangelii Gaudium” e propozuar sot liderëve të G20-ës, mbledhur në Hamburg, Papa Françesku thekson se uniteti duhet të mbizotërojë mbi konfliktet. Në sa afrohet 100-vjetori i Letrës së Benediktit XV për Popujt në Luftë, Ati i Shenjtë Bergoglio kërkon fundin e masakrave të kota nëpër botë. Nuk do të jetë e mundur të arrihen objektivat ekonomike, nëse “palët nuk impenjohen t’i ulin thelbësisht nivelet e konfliktualitetit, të ndalin garën aktuale të armatimeve dhe përfshirjen e drejtpërdrejt ose tërthorazi në konflikte, si edhe të diskutojnë në mënyrë të sinqertë e transparente për të gjitha kundërshtitë”.

Realiteti është më i rëndësishëm se ideja

Ka ikur koha e ideologjive tragjike të shekullit XX, vëren më tej Papa Françesku, por ato janë zëvendësuar me ideologjitë e reja, që privilegjojnë tregun dhe spekullimin financiar. Njeriu në qendër: kjo është ideja e Atit të Shenjtë, i cili “i lutet Zotit që Takimi i Hamburgut të shndritet nga shembulli i liderëve evropianë e botërorë, që kanë privilegjuar gjithnjë dialogun e kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta: Schuman, De Gasperi, Adenauer, Monnet e shumë të tjerë”.

E gjitha ka epërsi ndaj pjesëve

Zgjidhjet e problemeve, nënvizon së fundi Papa, duke shtjelluar parimin e katërt “E tëra ka epërsi ndaj pjesëve”, për të qenë të qëndrueshme duhet të kenë parasysh pasojat mbi të gjitha vendet e mbi të gjithë njerëzit. Edhe Benedikti XVI, në një mesazh për G20-ën, në vitin 2009, nënvizonte se ajo popullsi, që prodhon vetëm 10% të ekonomisë botërore, është shumica e planetit e vuan më shumë nga kriza ekonomike për të cilën ka pak përgjegjësi, por njëkohësisht, është edhe ajo, që ka “potencialin më të madh për të kontribuar në përparimin e të gjithëve”. Këtu qëndron arsyeja për respektimin e OKB-së, të organizatave rajonale e të traktave ndërkombëtare, të cilat nuk duhen konsideruar fjalë, që mbeten në letër.

Papa Françesku e përfundon reflektimin e tij duke iu lutur Zotit, që me Takimin e Hamburgut të fillojë një epokë të re zhvillimi novator, të ndërlidhur, të qëndrueshëm, që respekton ambientin dhe përfshin gjithë popujt.








All the contents on this site are copyrighted ©.