2017-07-07 16:41:00

G20: Evropa e SHBA-të afër për terrorizmin, por larg për klimën


Në Hamburg të Gjermanisë u hapën punimet e G20. Dita nisi me tensione  e policia kërkoi përforcime për t’u bërë ballë çrregullimeve, bilanci i përkohshëm i të cilave është 45 manifestues të arrestuar e 156 policë të plagosur. Ndërkaq takimi i rangut të lartë nisi me një seanacë kushtuar terrorizmit dhe sigurisë, paraprirë nga disa takime të ndryshme dypalëshe të të mëdhenjve të tokës. Po më hollësisht mbi punimet e këtij takimit të lartë të G20 në Hamburg, të ndjekim shërbimin e Albert Bisakut pikërisht nga Hamburgu.....

Ambienti, siguria e proteksionizmi ekonomik! Janë të shumta nyjat e pazgjidhura mbi tryezën e të mëdhenjve të Planetit. Çështje, për të cilat po bëhen përpjekje të reduktohen distancat ndërmjet Evropës e SHBA-ve: “Jemi ende në valën e bisedimeve e mundësitë e ndryshme nuk mungojnë” – kështu u shpreh kancelarja gjermane Merkel para fillimit të takimit të madh, lidhur me qëndrimin që do të mbajnë liderët e samitit për klimën, Merkel u takua me Trump, me të cilin bisedoi rreth një orë.

E presionet mbi Shtëpinë e Bardhë nuk munguan as nga ana e kryeministres angleze, May, e cila uroi që SHBA-të të rikthehen në marrëveshjen e Parisit.   Kryetari i Komisionit Evropian, Juncker,  sulmoi qëndrimet proteksioniste amerikane mbi çelikun e kujtoi kundërveprimin e Bashkimit Evropian. I detyrueshëm, uniteti lidhur me terrorizmin - nënvizoi Gentiloni në fillim të punimeve. - Duhet vënë në qendër të vëmendjes - vijoi kryeministri italian – lufta kundër financimeve dhe radikalizimit të tij. 

Sot pasdite, takimi i shumëpritur dypalësh i presidentit amerikan Trump me liderin rus, Vladimir Putin, në kuadrin e G20. E kam për nder t’ju takoj – i tha Trump, duke ia shtrënguar dorën kryeministrit Putin. - Jam i lumtur që po ju njoh, telefonatat nuk janë kurrë të mjaftueshme: nëse duam t’i zgjidhim problemet e agjendës ndërkombëtare duhet të takohemi personalisht. Kështu iu përgjigj presidenti rus Vladimir Putin atij amerikan, para se të fillonin bisedimet, në të cilat ishin të pranishëm përfaqësues të shtypit si dhe  ministrat e jashtëm përkatës Lavrov e Tillerson.








All the contents on this site are copyrighted ©.