2017-07-06 14:53:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Shndërrimi i Zotit


Një nga të kremtet më të rëndësishme të verës festohet më 6 gusht. Është Shndërrimi i Zotit tonë Jezu Krisht. Për këtë do të flasim në emisionin e sotëm.

Edhe Shndërrimi i Zotit, si të gjitha misteret e jetës së Krishtit, gjen vend në liturgjinë e Kishës. Në Lindje, ekziston festa e Shndërrimit të Zotit që nga shekulli VIII. Në Perëndim, festa, ashtu siç e njohim sot, u vendos në vitin 1457 nga Papa Kalisti III, si falenderim për fitoren e vitit të mëparshëm mbi turqit në Beograd, ku u ndeshën ushtria e Janosh Huniadit dhe e shën Gjon Kapestranit me atë të Sulltanit Mehmeti II. Thuhet se ajo betejë shënoi fatin e krishterimit në Evropë.

Në skenën ungjillore, që na paraqet Jezusin në Malin Tabor e Atin Qiellor, që e njeh si Bir të vet e u thotë apostujve ta dëgjojnë, edhe ne ftohemi të qëndrojmë para Zotit, ashtu si Pjetri, Gjoni e Jaku, tre dishepujt më të afërt të Krishtit. Ashtu si ata, edhe ne ftohemi të shohim Zotin e vërtetë në shndërrimin e Jezusit, i cili vishet me dritën hyjnore. Se ç’na mëson kjo pjesë ungjillore e përshkruan fort mirë shën Leoni i Madh, papë, i cili thekson natyrën pedagogjike të shndërrimit të Zotit: “Qëllimi kryesor i Shndërrimit të Zotit – shkruan shenjti në ‘Traktatet’ e tij - ishte ta zhdukte nga zemra e apostujve shkandullin e kryqit, në mënyrë që përvuajtëria e Mundimeve të Tij të mos ua lëkundte fenë, pasi kështu, u zbulohej që më parë, dinjiteti i Tij i fshehur e i jashtëzakonshëm” (Shën Leoni i Madh, Traktatet, 51,3).

Në përshpirtërinë ortodokse, Shndërrimi i Zotit shihet si mister, që ka kuptim në vetvete, e jo vetëm në lidhje me Pashkët: “Mbi Tabor – shkruan Anastas Sinaiti, një nga ekzegjetët më në zë të Lindjes – u paralajmëruan misteret e kryqëzimit, u zbulua bukuria e Mbretërisë së Hyjit dhe u duk ardhja e dytë e lavdishme e Krishtit… U përvijua imazhi i së ardhmes sonë - si do të jemi - e si do të jemi në Krishtin. Festa na zbulon një Sinai tjetër, shumë më i çmuar se i pari”. Në rastin e Shndërrimit, Jezusi nuk jep mësime, por u zbulohet të vetëve si Bir i Hyjit.

Shndërrimi i Zotit është nyja, që lidh të gjitha misteret; maja, nga e cila mund të vështrohen mirë si Beslidhja e Vjetër, ashtu edhe ajo e Re. Ky çast historik i jetës së Krishtit realizon e plotëson të kaluarën – krijimin, dukjen e figurës së vërtetë të Zotit, Sinain, Ligjin, profetët – dhe paralajmëron të ardhmen, pra, lavdinë e Ngjalljes, ardhjen e dytë të Zotit dhe shkëlqimin përfundimtar të të drejtëve. Nëse ka një çast, në të cilin Krishti duket si “qendra e të gjitha kohrave”, ky është pikërisht Shndërrimi. E nuk është vetëm qendra “e kohrave”, por edhe e “botëve”: e botës hyjnore dhe e asaj njerëzore.

Është e qartë se e gjithë kjo plotësohet përfundimisht në misterin e Pashkëve, të vdekjes e të ngjalljes së Krishtit, por në çastin e Shndërrimit të Zotit, na tregohet përpara, si të ishte diçka profetike. Ashtu si duke thyer bukën e duke ofruar verën, Jezusi merr pjesë në themelimin e Eukaristisë, pra, në vdekjen e Tij duke i dhënë asaj kuptim, ashtu edhe gjatë Shndërrimit (jo në kuptim sakramentor) paralajmëron lavdinë, që do të vijë me Ngjalljen. Kështu, jo vetëm e ardhmja bëhet e dukshme, por fillon të realizohet.

Shën Marku ungjilltar, duke përshkruar skenën e Shndërrimit të Krishtit shkruan se rrobat e Jezusit ishin kaq të bardha e të shndritshme sa asnjë rrobalarëse në tokë nuk do të mund t’i zbardhte kaq mirë. Na thotë, simbolikisht, se nuk mjafton inteligjenca njerëzore për ta kuptuar Shndërrimin, i cili ndodh brenda një reje të bardhë, pra, me ndihmën e Shpirtit Shenjt. Jezusi shndërrohet edhe sot para nesh, vetëm nëse nën velin e hostes së bardhë do të dimë të njohim Atë, që atë ditë, së bashku me Moisiun e Elinë, u duk mbi mal, me gjithë lavdinë e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.