2017-07-06 13:16:00

Atë Lombardi: Navarro-Valls, mjeshtër i komunikimit, në shërbim të Kishës


Të shumtë, personalitetet, që thanë sot fjalën e tyre për ish-zëdhënësin e Vatikanit, Joaquin Navarro-Valls, i cili ndërroi jetë dje në moshën 80-vjeçare. Trupi i tij ekspozohet që nga ora 16.00, për homazhe, në sakrestinë e Bazilikës së Shën Eugjenit në Romë, kishë e administruar nga Prelatura e Opus Deit, anëtar i së cilës ishte. Nesër, në orën 11.00, do të kremtohet funerali, nga vikari i përgjithshëm i Prelaturës, imzot Mariano Fazio, po në atë kishë.

Ne ia drejtuam mikrofonin kryetarit të Fondacionit “Ratzinger-Benedikti XVI”, atë Federico Lombardi-t, i cili mori në dorë drejtimin e Sallës së Shtypit të Vatikanit, pasi Navarro-Valls doli në pension. Ja ç’na tha për të:

E kam njohur personalisht dr. Navarro-Valls, kur erdha të punoj në Selinë e Shenjtë si drejtor i programeve të Radio Vatikanit, në fillim të vitit 1991. Natyrisht, e njihja nga fama “zëdhënësin” brilant e kompetent të Papës. Megjithëse titulli zyrtar ishte “drejtor i Sallës së Shtypit”, duhet thënë se, në rastin e tij, emri “zëdhënës” i përshtatej plotësisht.

Siç na shpjegonte shpesh, që nga fillimi, Navarro u dha të kuptojnë atyre, që e kishin thirrur të shërbente në Vatikan, se ishte absolutisht e nevojshme të kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me Papën, për të njohur mirë mendimin dhe vijën e tij, në mënyrë që të paraqitej para botës së shtypit e opinionit publik si interpretues me autoritet i atij mendimi e jo si dikush, që e kishte dëgjuar nga të tjerët. S’ka dyshim se gjatë papnisë së Gjon Palit II, nga viti 1984 deri më 2005, Navarro-Valls i qëndroi shumë afër Papës, aq sa konsiderohet një nga figurat e rëndësishme të asaj papnie të jashtëzakonshme, jo vetëm për vizibilitetin publik, por edhe për rolin e tij si këshilltar. Sigurisht, Gjon Pali II kishte besim të madh në të dhe e vlerësonte shumë shërbimin e tij.

 Në ndryshim nga paraardhësit, Gjon Pali II zgjodhi një laik – e ky ishte mesazh më vete nga ana e tij – e madje, një laik të aftë profesionalisht e të vlerësuar nga kolegët gazetarë (ishte kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të huaj në Romë). Njëkohësisht, si anëtar laik i Opus Deit ishte njeri i përkushtuar, që e donte Kishën dhe Papën. Zgjatja e jashtëzakonshme e shërbimit të Navarro-Valls si drejtor i Sallës së Shtypit, autoriteti i tij, efikasiteti dhe cilësia e punës, që njihej nga të gjithë, na nxisin të mendojmë se ajo periudhë do të mbetet, ndoshta, unike në historinë e Sallës së Shtypit dhe të komunikimit vatikanas. Ka qenë shërbim i pallogaritshëm për Kishën.

Personalisht i jam shumë mirënjohës Dr. Navarros për mirësjelljen dhe vëmendjen, që më ka kushtuar, gjatë 15 vjetëve të bashkëpunimit. E kam konsideruar gjithnjë mjeshtër në detyrën e vet e nga shumë pikpamje, për mua, mbetet i paimitueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.