2017-07-05 14:54:00

Papa, i mallëngjyer për vdekjen e kard. Meisner: e deshi sinqerisht Kishën


Papa mësoi “me mallëngjim të thellë lajmin se papritmas, kardinali Joachim Meisner u thirr nga kjo botë prej Zotit të mëshirës”. Ati i Shenjtë e pohon vetë këtë në telegramin e shkruar e të nënshkruar personalisht për kryeipeshkvin e Këlnit, imzot Rainer Woelki. Kardinali Meisner ndërroi jetë në Gjermani, dje, në moshën 83-vjeçare. Ish-kryeipeshkëv i Këlnit, ishte njëri nga të katër prelatët, autorë të “Dubia”-s, letrës drejtuar Papës Françesku për sqarime mbi Nxitjen Apostolike “Amoris Laetitia”.

“Me fe të madhe e dashuri të sinqertë për Kishën – pohon Ati i Shenjtë në telegram – kardinali Meisner iu përkushtua kumtimit të Lajmit të Mirë të Ungjillit”. “Krishti Zot – shkruan më tej Papa – e shpërbleftë për impenjimin e tij besnik e të patrembur në të mirë të njerëzve të Lindjes e të Perëndimit”. Telegrami përfundon me bekimin apostolik për të gjithë ata, që do ta kujtojnë bariun e ndjerë me lutje e fli.

Jeta e kardinalit Joachim Meisner

         Lindur për Krishtlindje, më 25 dhjetor 1933 në Wroclaw (Polonia e sotme), shugurohet meshtar më 22 dhjetor 1962. Papa Pali VI e emëron ipeshkëv titullar të Vinës, më 17 mars 1975. Shugurohet më 17 majin e atij viti. Më 22 prill 1980, shën Gjon Pali II e vë në krye të dioqezës së Berlinit, e cila përfshinte si Lindjen komuniste, ashtu edhe Perëndimin. Ipeshkvi e zgjodhi banesën në Berlinin Lindor, por lëvizte vazhdimisht edhe përtej murit. U krijua kardinal më 2 shkurt 1983.

        Qe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Gjermane për 7 vjet e më pas, më 20 dhjetor 1988, u bë kryeipeshkëv metropolit i Këlnit deri në vitin 2014, kur doli në pension. Ishte anëtar i Këshillit të Kardinajve për studimin e problemeve organizative dhe ekonomike të Selisë së Shenjtë. Pas vdekjes së tij, Kolegji Kardinalor përbëhet nga 224 anëtarë, 121 prej të cilëve mund të zgjedhin Papën.








All the contents on this site are copyrighted ©.