2017-07-04 14:47:00

Shqipëria i jep Pajtorët qiellor provincës së re Euro-Mesdhetare të jezuitëve


Më 1 korrik, lindi Provinca e re e Shoqërisë së Jezusit, ku përfshihen Shqipëria, Italia dhe Malta. Quhet “Euro-Mesdhetare”, me një emër mjaft evokativ, që tregon përkatësinë e anëtarëve të saj, duke e hedhur vështrimin edhe drejt së ardhmes së Urdhërit.

Jezuitët nënvizojnë se kjo provincë nuk është thjesht shkrirja e dy provincave të mëparshme, asaj malteze e asaj italiane, ku bënte pjesë edhe Shqipëria. Është një realitet i ri, që lindi si përgjigje ndaj thirrjes për ta rimenduar misionin dhe praninë e Shoqërisë së Jezusit - Jezuitëve.

Pajtorë të provincës edhe tre martirë shqiptarë jezuitë

Në Provincën Ero-Mesdhetare bëjnë pjesë tani rreth 520 jezuitë nga tre kombe të ndryshme. Ata kanë 62 shtëpi e rreth 70 vepra. Në këtë skenar duhen përfshirë laikët e shumtë, që ndajnë me ta të njëjtin mision, shoqatat me frymëzim jezuit, rrjetet ku ato bëjnë pjesë dhe veprat, që administrojnë në nivelin evropian. Provinca e re do të ketë një kurie e një konsultë të përbashkët e një i vetëm, për të tria vendet anëtare, do të jetë edhe noviciati, ku prej kohësh formohen së bashku të rinjtë italianë, maltezë e shqiptarë. Pajtorët e saj qiellor, përveç Zojës së Udhës, bëhen tani edhe tre jezuitë shqiptarë, martirë të komunizmit, shpallur të lum në Shqipëri: atë Gjovani Fausti, atë Daniel Dajani e fratel Gjon Pantalia.

Provinciali i ri, atë Gianfranco Matarazzo

Provinciali i ri i jezuitëve Euro-Mesdhetarë është atë Gianfranco Matarazzo. Lindur në Teano të Italisë, më 1963, pas universitetit në jurisprudencë, specializimit e aftësimit si avokat, hyri në noviciatin e jezuitëve në Gjenovë, në vitin 1993. Vijoi formimin në Padovë, Grottaglie, Napoli e Romë, ku përkrah liçencës në teologji morale në Universitetin Gregorian, bashkëpunoi në veprimtarinë baritore të kapelës së Universitetit “La Sapienza”.

Më 10 maj 2003 shugurohet meshtar. Shërben në detyra të rëndësishme institucionale në Palermo, pranë Qendrës Arrupe, në Modica e në Ueston të SHBA-ve, ku kryen shkallën e tretë të formimit. Nga viti 2010 deri në vitin 2012 ka qenë edhe këshilltar i kryetarit të Konferencës së provincialëve jezuitë evropianë.








All the contents on this site are copyrighted ©.