2017-07-04 13:55:00

Papa Françesku: emigrantët janë një rast për rritje, takim e dialog


“Prania e shumë vëllezërve dhe motrave që jetojnë tragjedinë e emigracionit është një rast i përshtatshëm për rritjen njerëzore, për takimin dhe dialogun ndërmjet kulturave, në kuadrin e promovimit të paqes e të vëllazërimit ndërmjet popujve”. Kështu u shpreh Papa Françesku në një mesazh, dërguar këtyre ditëve, portalit të ri (faqes së re të internetit) Infomigrants.net, realizuar nga agjencia italiane Ansa me partnerët evropianë France Monde e Deutsche Welle. Ati i Shenjtë Françesku pohon se është “afër” dhe mbështet, “institucionet, realitetet e shoqatave dhe individët” që “hapen me urti ndaj fenomenit të ndërlikuar të emigracionit”.

Vlerat njerëzore e të krishtera në bazën e qytetërimit evropian

Papa nënvizon se çdo ndërhyrje që e mbështet këtë fushë, dëshmon “ato vlera njerëzore e të krishtera që janë në bazën e qytetërimit evropian”. Ati i Shenjtë Bergoglio shpreh me entuziazëm “vlerësimin për nismën e rëndësishme” që është portali i përmendur dhe uron që kjo nismë të “favorizojë integrimin”, bashkë me “respektin e domosdoshëm” nga ana e emigrantëve të ligjeve të Shteteve që i presin, e “nxitë në shoqëri një impenjim sa më të përforcuar për kulturën e vërtetë të mikpritjes e të solidaritetit”.

Terrorizmi, fatkeqësitë natyrore, regjimet shtypëse

Papa Françesku së fundi siguron “lutjen e tij, duke kërkuar mbrojtjen e Zotit, atin e të gjithëve që Ai të jetë shok udhe për ata njerëz që janë të detyruar të lënë tokën e tyre për shkak të konflikteve të armatosur, të sulmeve terroriste, të fatkeqësive natyrore, të regjimeve shtypëse”. “Dhashtë Zoti që këta emigrantë - përfundoi Ati i Shenjtë – të takojnë vëllezër e motra nën çdo qiell, që bashkëndajnë me ta bukën dhe shpresën në udhëtimin e përbashkët”.








All the contents on this site are copyrighted ©.