2017-07-03 14:25:00

Papa Françesku dhuron 50 mijë euro për popullsinë e Lesbos, goditur nga tërmeti


Papa Françesku dhuroi 50 mijë euro për viktimat e tërmetit të 12 qershorit në jug të ishullit grek të Lesbos. Lajmin e jep nunciatura apostolike në Greqi.

Dhuratë e papritur

“Dhurata e papritur, shenjë konkrete e afërsisë dhe e dashurisë së Françeskut ndaj popullsisë së sprovuar nga tërmeti i fortë prej 6,3 ballësh të shkallës Richter – shpjegon i ngarkuari me punë i nunciaturës, imzot Massimo Catterin – ndodhi pasi kryeipeshkvi i Naxos, Tinos, Andro dhe Mykonos, imzot Nikòlaos Printesis, administrator apostolik i dioqezës së Chios, i pati kërkuar nunciaturës të informonte Atin e Shenjtë për gjendjen në ishull”.

Gjest me vlerë ekumenike. Dhuratë për fshatin ortodoks të Vrisës

Fondet do t’i jepen fshatit ortodoks të Vrisës, i cili është rrafshuar që me valën e parë të tërmetit. Humbi jetën një grua 43-vjeçare. Tri ditë pas tragjedisë, aty shkoi kryepeshkopi ortodoks i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Ieronymos II. “Dhurata e Papës – komenton imzot Catterin – ka vlerë të madhe edhe nga pikpamja ekumenike: prej saj do të përfitojë një popullsi me shumicë ortodokse. Vërtet, në Lesbos, ka vetëm 50 katolikë”.

Mirënjohje për Papën në Lesbos

“Të martën e javës së ardhshme, së bashku me imzot Nikolaos – përfundon i ngarkuari me punë i nunciaturës – do të vizitojmë Vrisën dhe do të takohemi me autoritetet: në atë rast do të vendosim si do të përdoren konkretisht paratë e dhuruara nga Ati i Shenjtë. Në Lesbos ka shumë mirënjohje e dashuri për Papën: ai e di se emergjenca e tërmetit i shtohet asaj të mëparshmes për refugjatët”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.