2017-07-03 10:52:00

Më 3 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Tomën Apostull


Më 3 korrik kalendari kishtar përkujton Shën Tomën Apostull!  Toma, peshkatar si apostujt e tjerë, thirret edhe Didimo, që do të thotë ‘Binjak’. Toma është Apostulli që u tregua i gatshëm ta ndiqte Jezusin në udhëtimin drejt Jerusalemit, për të vdekur bashkë me të. Kur Krishti u ngjall, në fillim ai nuk besoi, por më pas e ndreqi këtë mosbesim me besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im”.

Shën Toma Apostull figurë shumë e dashur për Kishën e besimtarët e krishterë kudo në botë. 
Ja si na e përshkruan Papa Benedikti XVI Shën Tomën në homelinë e mbajtur me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes më 16. 04.2007:
“Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn. 20- 28). Zoti Jezus i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur; e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’ siguri për mëshirën e tij e ç’ ngushëllim na japin! E si na sqarojnë e sigurojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”. E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi, të flijohemi për Të. 
Mëshira e Zotit na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zerë vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të mëdhatë". 

Ndërsa në homelinë e Meshës kremtuar për Pashkët e vitit 2007, Papa Ratzinger mes tjerash theksoi: 
“Pas fjalëve të Krishtit të ngjallur, feja gati e shuar në shpirtrat e Apostujve, u ndez përsëri. Ata ia treguan këtë ngjarje madhore Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtëzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit, një dëshmi për takimin me të Ngjallurin, sepse ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë”. 
“Në se përmes këtij Apostulli, Tomës mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.
Secili nga ne, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e vënë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? 
“E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë, pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, i mori mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”. 

Toma mori nga Krishtit Gjallë e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet dhe vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të Ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu. E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare .Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.