2017-07-02 16:38:00

Irak: përurohet në Erbil kisha e Shenjtorëve Pjetër e Pal


U përurua, në Erbil të Irakut, kisha e Shenjtorëve Pjetër e Pal, pikërisht në ditën e festës së tyre, më 29 qershor, por dioqeza e dha sot lajmin e gëzuar. Ceremonia u zhvillua në lagjen e Mar Auda ad Ankawa, në Kurdistanin irakian. Kremtimin e kryesoi patriarku i Kishës kaldease, Louis Raphaël I Sako.

Patriarku Sako: mos e braktisni Irakun, ta mbrojmë identitetin kaldeas

Në homelinë e Solemnitetit, patriarku Sako i nxiti besimtarët të mos largohen nga Iraku e ta mbrojnë identitetin e tyre kaldeas, pavarësisht nga kushtet e vështira, në të cilat detyrohen të jetojnë. U bëri thirrje të mos  shikojnë ëndrra pak të realizueshme, por të kenë unitet qëllimesh.

Prekës, riti i shugurimit të altarit prej druri, që u lye me vajin shenjt. Të pranishme, autoritete të ndryshme fetare, ndërmjet të cilëve, kryeipeshkvi i Erbilit, imzot Bashar M. Warda; kryeipeshkvi i nderit, imzot Jacques Isaac; ipeshkvi i Alqosh, imzot Mikhail Maqdassi, ipeshkvi i Dohuk, imzot Rabban al Qas, nunci apostolik në Irak e Jordani, imzot Alberto Ortega Martin dhe ipeshkvi i Kishës Asire të Erbilit, imzot Youkhanan. Natyrisht, edhe famullitari, atë Rayan Atto. I gjithë kremtimi u shoqërua me këngë nga kori i kishës.

Kisha e shenjtorëve Pjetër e Pal zë më se njëmijë besimtarë

Si përfundoi kremtimi, imzot Warda i falënderoi besimtarët pjesëmarrës në ritin e shugurimit, posaçërisht, Zyrën për Çështjet e krishtera të qeverisë së Kurdistanit, për ndihmën ekonomike, që dha në realizimin e projektit të kishës, e cila mund të zërë më se njëmijë vetë, ka tri salla për veprimtari të ndryshme, disa zyra administrative, 24 salla studimi, kopshte dhe hapësira të tjera të brendshme.

Simbolike, kjo kishë e re. Tregon se Krishti po rikthehet në trojet, prej nga deshën ta zhduknin përgjithmonë!








All the contents on this site are copyrighted ©.