2017-07-01 13:07:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 13-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, së kësaj radhe, meditojmë leximet biblike të liturgjisë së dielës së 13-të, gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendari liturgjik. Këtë të diele, Ungjilli na propozon një pjesë të fjalimit të Jezusit drejtuar apostujve ndërsa i përgatit për t’i dërguar në mision ( Mt 10,5-42): janë fjalë frymëzuese e udhëzuese për të krishterët e çdo kohe, që janë të thirrur ta dëshmojnë Lajmin e Mirë, Ungjillin në shoqërinë e njerëzve.

Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele ndahet në dy pjesë: e para përsërit thirrjen për të ndjekur pas Jezusit, për të ecur gjurmëve të Tij, pjesa dytë na fton të jemi bujarë, mikpritës: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji ..,: nuk do t’i humbë shpërblimi”. Pra, Ungjilli na fton ta ndjekim Jezusin udhës së tij, e ecja gjurmëve të Tij kërkon prej nesh ta bartim kryqin çdo ditë.

Leximi Parë nga Libri Dytë i Mbretërve 4,8-11.14-16 ka në qendër bujarinë dhe mikpritjen, virtytet e gruas fisnike sunamite, e cila e pranoi  Elizeun profet në shtëpinë e vet, sepse në të pa dhe njohu një ‘shenjë’ të Zotit. Zoti e bekon atë duke u treguar përmes saj dhurues i jetës!

Leximi dytë nga Letra shën Palit drejtuar Romakëve 6,3-4.8-11 na kujton thirrjen për të jetuar në “jetën e re” që na vjen prej Zotit përmes pagëzimit. Jeta e re për të krishterit, prandaj ka kuptim që, ashtu siç thotë Shën Pali apostull, me anë të Pagëzimit ta ndjejmë veten të varrosur së bashku me Krishtin, për t’u ngjallur më pas si Ai i Lumi, në një jetë të re. Sepse Krishti, i ngjallur së vdekurish, nuk vdes më. E kështu, edhe ata, që besojnë në Të duhen konsideruar të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Hyjin, në Krishtin Jezus.

Ungjill nga Mateu (10,37-42), pastaj, na tregon se prania e Jezusit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, i ndryshon krejtësisht marrëdhëniet njerëzore, të cilat na fton t’i vështrojmë në një dritë të re. Krishti, duke ftuar dishepujt të ecin pas tij, kërkon të ketë përparësi absolute në jetën e atyre që vendosin të shkojnë pas Tij, sepse Ai vjen para të gjithëve, edhe para të afërmeve më të dashur, përfshirë familjarët.

“Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk më ndjek, nuk është i denjë për mua”, na thotë Jezusi në Ungjill. Kush e humb jetën për shkak të Zotit, do ta gjejë. Ja përse, Jezusi i jep një vlerë të re misionit dhe mikpritjes. Ai shpjegon se kush pranon Krishtin e dishepujt e Tij, pranon Hyjin. E ata, që do t’u japin edhe një gotë të vetme uji dishepullit më të vogël, nuk do ta humbasin kurrë shpërblimin e tyre para Hyjit, në amshim. Ky është premtimi i Jezusit.

Shumë herë njeriu kërkon të marrë, dëshiron të ketë gjithmonë e më shumë. Por Jezusi erdhi në botë jo për të marrë, por përkundrazi, për të dhënë gjithçka. Dhe i ka mësuar nxënësit e ve të bëjnë të njëjtën gjë. Edhe ne, pra, duhet të heqim dorë nga gjithçka për të fituar Jezusin, të mirën e pambaruar.

Me Ungjillin e kësaj së diele (Mt 10,37-42) Jezusi u përgjigjet të gjithë atyre që, gjatë shekujsh, kanë deklaruar se Zoti është i kotë dhe kanë pretenduar të interpretojnë e organizojnë jetën dhe krijimin duke përjashtuar Krijuesin: njeriu, mjerisht, është i aftë të bëjë edhe një marrëzi të tillë.

Mendimi, arsyetimi që është pas fjalëve të Jezusit është i thjeshtë e jashtëzakonisht i qartë. Mund ta përmbledhim kështu: Kini kujdes! Ruajuni! Mos e përjashtoni Zotin dhe Dashurinë e Tij nga jeta. Sepse, nëse e përjashtohet Zotin, jeta bëhet banale, pa shije, pa cak, e humbë vlefshmërinë e vet, rrezikon të shndërrohen në një shkretëtirë të karakterizuar nga indiferenca, egoizmi e tmerri. Jeta në dhe me Zotin, jetuar sipas Urdhrit të Dashurisë, merre shije, bukuri, kuptim dhe realizohet plotësisht.

                                                                  Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë   2 Mbr 4, 8-11.14-16

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Një ditë ndodhi që Elizeu të kalojë nëpër Sunam. Ishte aty një grua fisnike dhe kjo e ndali të hajë bukë tek ajo. Që atëherë, gjithsaherë kalonte atypari, kthehej tek ajo për bukë. Ajo i tha burrit të vet: “Me sa shoh unë, ky njeri i Hyjit që kalon shpesh këtupari, është vërtet njeri i shenjtë. Po i ndërtojmë një dhomë në tarracë, po i vendosim në të një shtrat, një tavolinë, një ndenjëse dhe një pishtar, që, kur të vijë tek ne, të rrijë atje.” Një ditë erdhi ai atje, u ngjit në dhomë dhe pushoi aty. Elizeu e pyeti shërbëtorin e vet: “Po ç’dëshiron që të bëj për të?” E Gjiezi tha: “E, mos pyet, nuk ka fëmijë dhe burri i saj është i moshuar.” Atëherë Elizeu i urdhëroi ta thërriste. Kjo pasi e thirrën, erdhi e qëndroi para derës. Elizeu i tha: “Në këtë kohë, sot një vit, djalin do ta shtrëngosh në parzmën tënde!”  Fjala e Zotit

 

Psalmi  89

Ref: Përgjithmonë do t’i këndoj mëshirës sate, o Zot

——————————————————

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj,

brez pas brezi goja ime do të shpalle besnikërinë tënde.

Sepse the: “Hiri im qëndron për amshim”,

në qiell është e themeluar besnikëria jote!

————————————————-

Lum ai popull që di të brohoritë,

që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd,

e do të mburret në drejtësinë tënde.

————————————-

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre,

e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë,

mbreti ynë Shenjti i Izraelit!

————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 6, 3-4.8-11

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekja njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbanë veten se jeni të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin! Fjala e Zotit

 

Aleluja.

Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë;

shpallni veprat e madhërishme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme. 

Aleluja.

 

Ungjilli   Mt 10, 37-42

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kush e do atin e t’ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen mbas meje, nuk është i denjë për mua! Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkak tim, do ta rifitojë. Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” Fjala e Zotit.








All the contents on this site are copyrighted ©.